Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se javën e ardhshme do të nisin procedurat për rindërtimin e Stadiumit të Qytetit në Gjilan, në vlerë 3.2 milionë euro.
Ai ka thënë se stadium aktual, do të rindërtohet dhe do të bëhet i Kategorisë së Katërt, që mundëson zhvillimin e të gjitha garave ndërkombëtare.
“Lokacioni do të jetë i njëjti, aty ku tashti është stadium, por infrastruktura do të jetë e re dhe e rindërtuar. Stadiumi do të bëhet me kritere të FIFA-s”, ka thënë Lutfi Haziri, që ka shtuar se do të punohet përreth fushës, por nuk do të pengohen garat e ekipeve që luajnë në të si vendase, KF Drita, KF Gjilani dhe KF Vllaznia e Pozharanit.
“Gjilani është qytet i sportit, kurse do të punohet edhe në rregullimet e objekteve të tjera sportive“, ka thënë Haziri.