Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, ka shpërthyer në akuza të rënda ndaj gjyqtarit Gramos Shala të cilin e fajëson për humbjen nga Llapi.
Gjilani u mposht 2:1 nga Llapi në Podujevë të shtunën. Llapi fitoi me një penallti në minutat e fundit, e cila u kundërshtua nga skuadra e Gjilanit. Madje, Llapi dështoi të shënonte nga penalltia, por gjyqtari vendosi ta përsëriste me pretendimin se portieri kishte dalë jashtë vijës. Në tentimin e dytë, Llapi mori epërsinë.
Por Mezani ka thënë se gjyqtar të tillë nuk duhet të lejohen të gjykojnë ndeshje.
“Monstra të tillë si ky arbitër nuk duhen të ndajnë drejtësi kurrë. Nuk fitoj Llapi, fitoj arbitri. Këto lloj arbitrash e prishin futbollin e Kosovës. E ka parë gjithë Kosova. Federata duhet të marrë masa. Këtu nuk duhet të flitet për futboll sepse e dominuam Llapin. Këtu duhet të flitet për një monstër që vendosi ndeshjen. Ai e vendosi ndeshjen dhe Federata duhet të marrë masa për gjyqtarë të tillë. Këta monstra vendosin ndeshjen dhe Federata duhet ta shikojë këtë ndeshje e ta dënojë atë”, ka thënë Mezani.