Është përmbyllur festivali ndërkombëtar “Rising Stars”- edicioni i 7-të dhe edicioni i 11-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Muzikës “Mollëkuqet”, të organizuar nga QKA “Mollëkuqet” dhe përkrahur nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.
Nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, në emër të kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, tha se Gjilani vazhdon të mbetet kryeqendër e kulturës.
Më tej ajo tha se, këtë më së miri po e tregojnë këto festivale dhe të tjerët të mbajtur më parë, ku ishin pjesëmarrës nga disa vende.
Nënkryetarja e Gjilanit, tha se komuna vazhdon me përkrahje të aktiviteteve kulturore.
Nga ana tjetër drejtoresha e festivalit, Arta Haziri-Nuhiu, tha se pavarësisht vështirësive, rëndësia e këtij eventi ishte thelbësore për të ofruar një mundësi për artistët dhe për të mbështetur kulturën.
Ajo tregoi se ky aktivitet kishte për qëllim promovimin talentëve muzikor dhe të pasurojë kulturën tonë, duke ofruar një platformë mbarëkombëtare.
Çmimi kryesor “Grand Prix” nga edicioni i 7-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars” u nda për Elena Popova nga Bullgaria, duke e bërë këtë edicion edhe më të veçantë.
Vendin e parë në edicionin e 11-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Muzikës “Mollëkuqet” e fitoi Ilenia Llanaj nga Shqipëria, e cila me performancën e saj të shkëlqyer arriti të impresionojë të gjithë pjesëmarrësit.