Libri

Tregimi që fitoi Çmimin e dytë në konkursin anonim letrar, “Flaka e Janarit”

Tregimi që fitoi Çmimin e dytë në konkursin anonim letrar, “Flaka e Janarit” 2022

Alma JAKU

TUNDIMET E SHEN ARTURIT

Arturi ishte ulur në verandën e lokalit buzë detit. Kishte kaluar një ditë të lodhshme. Fakti që ishte shërbestar i Zotit shpesh e rëndonte shpirtërisht. Si një blasfemi, mendoi se deti e afronte më afër me Zotin, sepse pranë tij ndihej i paqtë dhe i mbushur si me një qetësi hyjnore. I pëlqente të lexonte buzë detit me një filxhan kafeje përpara. Mbi tavolinë kishte librin “Jerina, Mbretëresha e Luleve“. Në fakt, nuk e kishte prekur librin. Akoma i rëndonte rrëfimi i Dom Mikelit… Asnjë çast ai vetë nuk e kishte provuar tundimin, dhe as nuk kishte ndodhur të kishte puthur ndonjë grua. Në krye i vlonte mendimi nëse ishte mosnjohja e magjisë së gruas që e bënte më të fortë apo ishte besimi i palëkundur për atë që i ishte betuar Zotit? I hodhi një sy ambientit përreth. Në cep të lokalit ishte një çift dhe ata të dy dukeshin të lumtur. Vajza ishte shumë e bukur, gjë që nuk mund të thuhej për djalin. Dashuria është e verbër, mendoi me vete, dhe një e qeshur dashamirëse i rrëzëlleu fytyrës. Dy tavolina më larg ishin dy vajza që qeshnin, nga të qeshurat dhe komunikimi mes tyre hamendësoi që duhet të ishin mikesha të vjetra. Tavolina e tretë kishte nje grup burrash të përfshirë në një bisedë serioze. Nga qetësia dhe fakti që ata e dëgjonin njëri-tjetrin duke miratuar me kokë, krijoi idenë se qenë mbledhur për një drekë pune. Ose qe një drekë serioze e ca njerëzve seriozë që punonin në zyra të errëta e të pajetë. Pa instiktivisht nga çifti, dhe këtë radhë vështrimi i tij u ndal për një kohë më të gjatë në supet e çveshura të vajzës. E largoi përnjëherë vështrimin, para se të shihte dhe nga gjoksi i saj.
-Zot, më mbro nga tundimi! -u lut duke parë detin dhe u përhumb në lexim…
-Delfinët!-Delfinët! -thërriti ngazëllueshëm njëra nga vajzat…
Si prej një urdhëri me komandë, të gjithë u ngritën në këmbë për t’i parë delfinët, çifti, burrat zyrtarë, kamarierët, madje edhe kuzhinierja e restorantit, doli nga kuzhina duke fshirë duart në përparësen e bërë me njolla salce. Vetëm vajza tjetër nuk levizi nga tavolina. Ajo shtrëngonte me duar një gotë vere dhe vazhdonte të qeshte si fëmijë. Me siguri ajo e njihte mirë shoqen e saj, sepse mes të qeshurave i lejoi vetes të thoshte si me një tallje të lehtë:
-Po, po, delfinë janë, madje unë shoh dhe një balenë blu aty pranë!
Arturi i hodhi sytë mbi të pa kurrfarë interesi, e megjithatë qeshi me romuzin e saj.
-Zotëri, ju i patë delfinët? -iu drejtua atij vajza që pak më parë kishte thërritur me ngazëllim.
-Delfinët, delfinët.
I zënë ngusht, Arturi ngriti supet.
-Në të vërtetë, nuk e di, zonjushe – tha me zë të butë.
-Klara, tha vajza duke i zgjatur dorën.
-Dom Arturi- iu përgjigj ai me mirësjellje.
-Oh, çfarë fati!- thërriti vajza me të njëjtin gëzim të mëparshëm.
-Ja një bekim i Zotit, pikërisht tani që kisha më së shumti nevojë për një bekim. Dhe, pa pritur që ai t’i jepte leje të ulej, u ngrit dhe u rehatua në karriken përballë tij. Pikerisht atë çast Arturit i tingëlloi zilja e telefonit. Ishte Dom Mikeli.
-Ndjesë, zonjushe Klara!- iu drejtua Arturi vajzës, por më duhet të ik! Nxori një kartëvizitë dhe ia la në dorë asaj.

Në ditën e nesërme, ndersa Arturi ishte përfshirë në përgatitjet e leksioneve që do të jepte të nesërmen përpara studentëve të vet, një zile u lajmërua në celularin e tij.
-Mirë mbrëma, Dom Artur! Je i sigurt që nuk i pe delfinët dje?
Arturi nisi të qeshë.
-Mirëmbrëma, Klara! Tani sapo isha duke i numëruar!-dhe qeshi.
-Ne fakt nuk jam Klara, jam Eva!-dëgjoi zërin në anën tjetër të telefonit. Dhe shtoi: – Por jo Eva e mollës …
-Eva ?
-Shoqja e Klarës, ne nuk u prezantuam, ke të drejtë – tha me zë të butë vajza që fliste në telefon.
-Gëzohem, Eva, sidomos kur marr vesh se je Eva që nuk tundon …, -tha ai me gjysëm zëri, i pasigurt nëse duhej ta kishte thënë këtë fjali kësisoj.
-Kënaqësia ime, Dom Artur! Është e vertetë se jam Eva që nuk tundon, por pa e ditur as vetë përse, njoh shumë njerëz që i largohen tundimit. Në fakt, desha të dëgjoja nga goja juaj se çfarë mendoni ju vetë për mollët e tundimit?
Pyetja i erdhi e papritur. Kishte diçka provokuese në këtë pyetje. Apo ashtu i dukej atij?
-Di që nuk e kam kafshuar asnjëherë mollën e tundimit. Nuk kam asnjë mendim për gjërat që nuk i njoh!….-tha Dom Arturi, me një zë të ulët dhe si i zënë në faj.
-E kam lexuar Fishtën dhe kam një bindje që ai ka dashuruar si çdo burrë tjetër. Cili burrë që s’ka dashuruar mund ta përcjellë aq bukur sa ai figurën femërore? Ndjeu se Eva donte të lozte me të. Disi i trembur por qartazi i mikluar prej saj, mendoi ta mbyllte bisedën me vajzën.
– Nuk e di këtë, zonjusha Eva. Ndoshta dashuria vetë nuk është tundim. Epshi është tundim!. Por e kuptoi se po shkonte larg. Pa dashje po bënte lojën e saj.
-Ndjesë- tha- jam i zënë dhe më duhet të ik. Natën e mirë!

U ul në karrige dhe ndjeu se gjaku po i vërshonte me forcë. A ishte e vërtetë se dashuria ekziston në këtë botë në formën më të pastër? -pyeti veten. A është e vërtetë se trupi është po aq i pastër sa edhe vetë shpirti?
Ndjeu se po bëhej konfuz. U përpoq ta kujtonte pamjen e saj nga dita e djeshme. Papritur ndjeu dëshiren që ta shihte edhe një herë atë vajzë…
-Eva…, pëshpëriti me vete, këtë radhë kundër vullnetit të vet.
Më vonë, Arturi klikoi emrin e saj dhe pa foton e Evës. Iu duk se e kishte mbajtur mend pamjen e saj. Ishte e vertetë? Apo ishte nevoja t’ia mbushte mendjen vetes se vertetë e kishte fiksuar portretin e saj, por në fakt dje as që e kishte parë me vëmendje? As vetë nuk e dinte të shpjegonte çfarë e shtynte që të kërkonte me këmbëngulje pamjen e saj. Mos ishte duke mëkatuar? Ndjeu një turbullim dhe një si marramendje të lehtë, por që i jepte kënaqësi. Pa veten në pasqyrë. Brenda pasqyrës pa një burrë të ri e të hijshëm. Kurrë nuk e kishte parë veten me këtë sy. Një burrë nga i cili mund të tundohej çdo grua… Ashtu siç po tundohej edhe ai vetë nga fjalët e Evës tani… U plandos përsëri në karrige. Rrëke djerse pushtuan qafën e tij dhe trupin e tij. Në dhomë ishte ngrohtë, dhe ngrohtësia e ambientit ia shtonte edhe më tepër të nxehtin e trupit… Një vajzë që ka lexuar Fishtën është interesante, u mundua të justifikonte veten, çfarë ka të keqe këtu?… Fundja ai e njihte mirë veten e tij. U përpoq të përfytyronte një vajzë me një libër në dorë. Por kundër qëllimit të vet, iu shfaq një vajzë me supet e çveshura. Ishte vajza që kishte parë dje në plazh. Supet e saj femërore. Të cveshura. Të bardha… Në moment në ekranin e Laptopit të tij u shfaq nje fytyrë engjëllore. Eva kishte një buzeqeshje diell, sy të gjelbër prej zafiri dhe buzë mishtore. Arturi instinktivisht kaloi gishtin e madh mbi buzët e saj. Ndjeu një shtrëngim në stomak, një ndjesi e pa provuar më parë. Iu duk një dhembje e ëmbël që po e mbyste. Telefoni që kishte qëndruar mbi tavolinë gjatë gjithë kësaj kohe, i ra nga dora. U ngrit pa e marrë dhe shkoi në tualet. Nisi të lante fytyrën sikur donte të lante mëkatet me forcë. Hodhi përsëri sytë në pasqyrë dhe vuri re se kishte përpara një burrë të tronditur. Qe i skuqur i gjithi. Mos kjo ishte pamja e një burri pasi ka bërë seks? Një forcë e papritur që nuk dihej nga kishte ardhur e kishte tronditur gjithë qenien e tij. Ishte Mëkati? Ajo molla primordiale për të cilën kishte aluduar Eva? Zot, më jep forcë të mos bie në tundim!- nisi të lutej me zë…
Vonë e zuri gjumi. Pothuajse gjithë kohës iu lut Zotit. Ne një gjendje që s’e kuptonte dot nëse ishte zgjuar apo në gjumë, ndjeu prezencen e një gruaje që e puthte në qafë. Ishte Eva! Qeshte ëmbël dhe butësisht. Supet e saj ishin të çveshura… U mundua ta largonte po trupi nuk i bindej. Një forcë e padukshme ia pengonte lëvizjet. Eva qendronte e zhveshur mbi trupin e tij. Në çast ndjeu se gishti i madh i këmbës së saj të djathtë e gërvishi mbi kaviljen e këmbës, thoi i saj iu ngul në mish dhe një dhembje e fortë e bëri të dihasë fort. Atë çast ndjeu se u clirua nga forca që e mbante!
-Vishu të lutem!- nisi t’i lutej duke iu përgjëruar Evës.
-Të lutem Eva. Por e ndjeu edhe në ëndërr se zëri i tij ishte aq i shurdhët, sa të mos e dëgjonte Eva. Ishte zëri i cili dëshironte vetë të ishte i tillë, me qëllim që Eva të mos e dëgjonte lutjen e tij. Kuptoi se ndodhej në një kopsht të madh. Kërkonte me dëshpërim rrobat e saj por s’i shikonte askund. Kudo kishte vetëm gjethe, gjethe të vogla mollësh. U përpoq dëshpërimisht të mbulonte me to trupin e zhveshur të Evës. i mbushte grushtat me to dhe ia vente mbi gjinjtë e saj të hajthshëm. Një puhizë e ngrohtë ere i zbulonte thithkat e ngritura rozë. I mbuluar në djersë dhe i pafuqishëm përballë Evës që qeshte me përpjekjet e tij të kota, u lëshua mbi trupin e saj dhe e mbuloi me të tijin. Ngjeshi buzët mbi të sajat dhe u bë një me të ndaluarën.

Në mëngjes Arturi kuptoi që çdo gjë kishte qënë ëndërr , por kishte një dëshirë të çmëndur që mos e mbante në sirtat këtë ëndërr …Më vonë , tek pinte kafe me Dom Mikelin , Arturi e vështroi Mikelin në sy dhe e pyeti: Mikel, a mbahen ëndrrat në sirtare ?
Mvaret nga ëndërrat. Ka ëndrra që nuk nuk i mban as vetë Tabernaku – u pergjigj Mikeli i menduar, duke perzier kafenë …
Për herë të parë Arturi e dinte që ëndrra e një nate më parë nuk do mbetej në sirtar, dhe asnjë lutje e kësaj bote nuk do të qe në gjëndje ta ndihmonte…

Shifra: Dora D’ Istria

You Might Also Like