Pas një sëmundje të gjatë dhe të rëndë, dje në orët e vona të pasdites ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare e sot është varros më nderime në varrezat e Vitisë Isuf S. Zuka, nga Pozharani me vendbanim në Viti. Isuf Zuka ishte njëri ndër kuadrot e para i cili ushtroi disa poste të rëndësishme në komunën e Vitisë në ish-sistemin e Kosovës, deri në vitet kur Kosovës nga pushteti fashist serb iu mor autonomia me dhunë. I ndjeri menjëherë u kyç ne veprimtarin atdhetare dhe kombëtare për t’u bërë ballë dhunës së organeve serbe të instaluara në çdo institucion të Kosovës.
I ndjeri disa herë ka qenë i përndjekur nga ish-pushteti serb në Kosovë, ai ka qenë i burgosur nga ky regjim për organizimin e rezistencës gjithëpopullore të viteve 90-ta në Kosovë. Isufi ka lënë prapa vepra të mira në kohë të vështira për ata që dinë të vlerësojnë veprat e njerëzve atdhetarë dhe që kanë pas një vizion për vendin. Vepra dhe kontributi tij, në interes të Kosovës do të kujtohet dhe vlerësohet nga ata që kanë punuar me të dhe kanë qenë bashkëpunëtor të tij.
I ndjeri për veprimtarinë e tij ishte keqtrajtuar disa herë fizikisht nga policia dhe sigurimi shtetëror serb. Kujtimi për te do të jetë gjatë si dhe respekti për kontributin e tij ndaj vendit dhe gjeneratave qe e njohën dhe e respektuan. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës . Aziz Zuka