OPINION

Dr. Daut Dauti do të mbetet në kujtesë për veprën e tij, për fjalën e shkruar, për kontributin dhe për gjurmën që la në jetën shqiptare

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Daut Dautit, një emër i nderuar i dijes, historisë, gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, por mbi të gjitha një njeri që la gjurmë të çmuara në kujtesën dhe zemrat e atyre që e njohën. Në këto çaste të rënda, fjalët duken të vogla përballë dhimbjes së një familjeje që përcjell sot për në banesën e fundit një njeri të dashur e të respektuar.

Do të doja me gjithë shpirt të isha sot pranë jush, të hidhja edhe unë një grusht dhe mbi varrin e tij dhe t’i jepja lamtumirën e fundit në vendlindjen që aq shumë e deshi. Por largësia dhe angazhimet e punës në Londër nuk ma mundësojnë të jem fizikisht aty. Megjithatë, besomëni, mendimi, dhimbja dhe respekti im janë sot me ju, në Gjilan e në Kokaj, pranë familjes dhe pranë kujtimit të Dautit.

Ndonjëherë largësia e trupit nuk është largësi e shpirtit. Sot jam me ju në heshtjen tuaj, në lutjen tuaj dhe në atë grusht dhe që nuk mundem ta hedh vetë, por që e hedh me zemër.

Dr. Daut Dauti do të mbetet në kujtesën tonë për veprën e tij, për fjalën e shkruar, për kontributin e tij dhe për gjurmën që la në jetën shqiptare.

Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe më të thella familjes Dauti, të afërmve, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që sot e përcjellin me dhimbje.

Zoti e mëshiroftë dhe ia faltë të gjitha.

I lehtë i qoftë dheu i Kokajt dhe i vendlindjes së tij të dashur.

U prehtë në paqe dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për Dr. Daut Dautin.

Me dhimbje dhe respekt të thellë,

 

Fatmir Terziu

Londër

You Might Also Like