Në një kohë kur rrjetet sociale shërbejnë kryesisht si një dritare për të shfaqur anën sipërfaqësore të të përditshmes, për gjilanasen dhe mërgimtaren Qefsere Ismajli ato janë shndërruar në një tribunë të mirëfilltë të satirës dhe kritikës konstruktive. E vendosur në qytetin Vejle të Danimarkës prej 26 vitesh, ajo përdor rrjetet sociale për të komentuar me mprehtësi ngjarjet e momentit dhe të kaluarës, duke arritur të mbetet gjithmonë në hap me kohën dhe e lidhur ngushtë me atdheun.

E transferuar në Danimarkë në vitin 1999 gjatë luftës, Qefserja nuk e harroi asnjëherë vendlindjen dhe prejardhjen e saj. Përkundrazi, mërgimi e ka shtyrë të shkruajë edhe më shumë për Kosovën. Ky pasion për fjalën vjen si një frymëzim i trashëguar nga babai i saj, mësuesi Bejtulla Ismajli, i cili gjatë viteve ’90 mbajti postin e kryetarit të Komunës së Gjilanit. Nën represionin e ashpër të shtetit serb, ai nuk u dorëzua në asnjë moment, duke lënë gjurmë të thella në formimin patriotik dhe intelektual të vajzës së tij.
Sot, 62-vjeçarja është mjaft e kërkuar nga lexuesit, por rrugëtimi i saj kishte nisur me një tjetër synim. Si e re, ajo kishte përfunduar Shkollën e Lartë Pedagogjike me ëndrrën fisnike për t’u bërë mësuese e brezave të rinj, por një mundësi të tillë ia pamundësoi sistemi i atëhershëm serb. Për këtë rrugëtim, ajo shprehet: “Ëndrra ime ishte të bëhesha mësuese, t’i edukoj nxënësit ashtu siç i kishte edukuar babai im, por sfidat e jetës dhe represioni serb ma pamundësuan realizimin e kësaj ëndrre. Tani, nëpërmjet rrjeteve sociale, mundohem që shkrimet e mia të kenë sado pak një efekt tek lexuesit. Zakonisht merrem me ngjarje ditore politike, kulturore e sportive, duke i paraqitur gjithmonë përmes satirës apo fabulave, me qëllim që t’i relaksoj ata.”
Për ata që ndjekin dinamikat sociale në rrjet, emri i Qefsere Ismajlit nuk është aspak i panjohur. Me një lexueshmëri të rregullt dhe një audiencë besnike, ajo ka arritur të kthehet në një zë të rëndësishëm në diasporë. Autorja thekson se me satirë ka filluar të merret më seriozisht rreth 10 vite më parë. Për të, satira është një shkallë më e lartë se ironia, sepse ajo jo vetëm që denoncon, por edhe demaskon. Reagimi pozitiv dhe mbështetja e vazhdueshme e njerëzve ka qenë shtytja kryesore që ajo të mos ndalet, por të vazhdojë të shkruajë edhe më fuqishëm.
Në morinë e postimeve të saj, gjejmë shprehje unike e të thella që bëjnë xhiron e rrjetit dhe lexohen me vëmendje të madhe. Ajo thekson me mençuri se “ne ecim me frikën tonë të guximshme dhe me vete sjellim gjashtëdhjetat tona”, apo konstaton faktin se “thonë që njerëzit inteligjentë nuk flenë rehat natën”. Në shkrimet e saj lexojmë gjithashtu këshilla jete si “më mirë një kthesë me kohë sesa një jetë në drejtim të gabuar”, e deri te vëzhgimet e mprehta shoqërore se “për një fije kashte dalin gjashtë”, apo që “i forti ose të mbyt ose të fal; i ligu as nuk të mbyt as nuk të fal, por të mban për gazep gjallë”. E gjithë kjo filozofi jetësore përmblidhet në bindjen e saj se asgjë në jetë nuk kalon menjëherë, pasi njeriu fillimisht “duhet të vuajë, të durojë, të kuptojë, të mësojë e të pranojë”.
Edhe pse sot jeton e rrethuar nga ngrohtësia e familjes, femijeve dhe mbesave të saj në Danimarkë, zemra e saj vazhdon të rrahë me nostalgji për Kosovën. Të qenit larg atdheut për të është një sfidë e përhershme shpirtërore. Siç thekson edhe vetë, edhe nëse ke pasurinë e botës, atdheu mbetet kryefjala e shpirtit, pasi atje gjenden vëllezërit, motrat, shoqëria dhe kujtimet më të bukura të jetës. Për Qefseren, “balta e vendlindjes është më e bukur se ari i mërgimit”, një thënie që tregon se pavarësisht dallgëve të mira apo të këqija të jetës, dashuria për rrënjët nuk zbehet kurrë. Me këtë frymëzim të pashtershëm, Qefsere Ismajli mbetet një nga satiristet e pakta në diasporë që di të kthejë rutinën e lodhshme në një moment të vyer relaksi dhe reflektimi për të gjithë dashamirët e fjalës së saj.




