Futboll

Gjilani po ka probleme me ekipet e fundit të tabelës, edhe Llapi i merr pikë

Kishin humbur nga Vushtrria, që nuk pati asnjë pikë e tashti barazuan edhe me Llapin, ekip që është i parafundit në tabelë. Gjilani assesi nuk po ia del që me ekipe të pjesës së poshtme të marrë pikë të plota.

Gjilani ka sulmuar gjatë tërë pjesës së parë, por pa ia dalë që të shënojë. Që në minutat e para Bleart Tolaj tentoi me kokë, por topi shkoi jashtë shtyllës së djathtë. Në minutën 9, Bajraktari shërbeu Rrahmanin, por portieri Laroshi priti gjuajtjen e tij.

Kur kishte kaluar gjysmë ore lojë, Armend Thaqi dha goditje dënimi nga e djathta dhe topi në anën e majtë erdhi te Zeka, I cili gjuajti nga afërsia, topi u kthye nga transversalja në trupin e portierit të Llapit Laroshi dhe doli jashtë. Në pjesën e parë në dy raste për Gjilanin u shikua se a pati penalti, por pas shikimit të VAR-it doli se nuk pati. Krejt në fund të kohës shtesë të pjesës së parë, Arianit Hasani pati rast të mirë për të shënuar për Llapin, por për pak topi shkoi jashtë portës së Qoriqit.

Me të nisur pjesa e dytë, në minutën 48 Potoku harkoi për Morinën që gjuajti me kokë, por Laroshi ishte në vend.

Në minutën 67, Ademi dhe Hasani, në dy raste mundën t’a dënojnë Gjilanin, por gjuajtjet e tyre u bllokuan.

Në minutën 70, pas një harkimi nga këndi, topi u dëbua, kurse Ardian Limani me gjuajtje volej qëlloi këndin e epërm të majtë të portës së Llapit. Në minutën 82, Bilalli shpërtheu nga e djathta, harkoi për Morinën, i cili gjuajti për tokë, por për pak topi shkoi jashtë.

Në minutën 87, Llapi ia doli që të barazojë, kur pas harkimit të Hahajas nga e djathta, topi erdhi deri te Aliu, i cili nga afërsia me këmbë qëlloi këndin e majtë të poshtëm të portës së Qoriqit për të barazuar rezultatin në 1:1./kryelajmi.com/.

You Might Also Like