Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj vendimit të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për ndërprerjen e shërbimeve shëndetësore në ambulancën e fshatit Kishnapolë, duke filluar nga data 2 nëntor 2026.
Me këtë vendim, banorët e Kishnapolës dhe të fshatrave përreth nuk do të mund t’i marrin më shërbimet shëndetësore në ambulancën e tyre, por do të duhet të drejtohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Bresalc.
Vlerësojmë se ndërprerja e shërbimeve nuk përbën zgjidhje për problemet e organizimit dhe menaxhimit të shëndetësisë. Përkundrazi, përgjegjësia e institucioneve komunale është të sigurojnë kushtet dhe personelin e nevojshëm për funksionimin e shërbimeve shëndetësore, veçanërisht në zonat rurale, ku qasja në këto shërbime është më e vështirë.
Shqetësues është edhe fakti se në njoftimin zyrtar nuk jepet një arsyetim i plotë për ndërprerjen e shërbimeve dhe nuk përcaktohet afati për rikthimin e ambulancës në funksion. Drejtoria e Shëndetësisë ka përgjegjësi të sqarojë shkaqet që kanë çuar në këtë vendim dhe masat që do të ndërmerren për tejkalimin e situatës.
Nuk mund të flitet për përmirësim të shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, ndërkohë që banorëve të zonave rurale u ndërpriten shërbimet ekzistuese, pa u ofruar një zgjidhje e qartë dhe e qëndrueshme.
Për këtë arsye, PDK në Gjilan kërkon nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale që ta bëjë publik arsyetimin e plotë të vendimit, të ndërmarrë masa konkrete për rikthimin sa më të shpejtë të ambulancës në funksion dhe të përcaktojë një afat të qartë për rifillimin e shërbimeve.
Gjithashtu, kërkojmë nga kryetari i Komunës së Gjilanit që të marrë përgjegjësinë e tij institucionale dhe të angazhohet drejtpërdrejt për zgjidhjen e kësaj situate.
Banorët e Kishnapolës nuk duhet të bartin pasojat e problemeve të menaxhimit institucional.Ata meritojnë shërbime shëndetësore të qasshme dhe funksionale, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë të Komunës së Gjilanit.
Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, do të vazhdojë ta përcjellë këtë çështje dhe të kërkojë llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse deri në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete.
Shërbimet shëndetësore duhet të jenë pranë qytetarëve, jo të largohen prej tyre!
Partia Demokratike e Kosovës
Dega në Gjilan




