ARSIMI

Vizitë studimore në SHFMU “Nazmi Hoxha” – Një urë bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash ndërkombëtare! 

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Universitetit PH Zug në Zvicër, shkolla jonë pati kënaqësinë dhe nderin të mirëpresë pesë mësimdhënës nga shkolla të ndryshme fillore të Zvicrës, të shoqëruar nga udhëheqësja e programit të Universitetit PH Zug.
Gjatë kësaj vizite, mysafirët patën mundësinë të njihen nga afër me mjedisin tonë shkollor, të ndjekin orë mësimore në klasa të ndryshme dhe të përjetojnë atmosferën e mësimdhënies dhe të nxënit përmes aktiviteteve kreative, ndërveprimit dhe përfshirjes aktive të nxënësve.
Përmes bashkëbisedimeve profesionale, shkëmbyem përvoja, ide dhe praktika të mira pedagogjike, duke reflektuar së bashku mbi qasjet bashkëkohore të mësimdhënies dhe rëndësinë e vendosjes së nxënësit në qendër të procesit mësimor.
Besojmë se arsimi zhvillohet dhe fuqizohet kur ndajmë njohuritë, mësojmë nga njëri-tjetri dhe ndërtojmë ura bashkëpunimi përtej kufijve.
Përveç dimensionit profesional, kjo vizitë u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë mikpritjeje, respekti dhe miqësie, duke krijuar kujtime të bukura dhe mundësi për bashkëpunime të ardhshme.
Falënderojmë përzemërsisht mysafirët tanë nga Zvicra për vizitën, përvojat dhe idetë e ndara, si dhe Universitetin “Kadri Zeka” për mundësinë e këtij bashkëpunimi të vlefshëm.
Së bashku, drejt një arsimi më cilësor, më gjithëpërfshirës dhe të hapur ndaj përvojave ndërkombëtare!

You Might Also Like