Gjilan, 23 janar 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorët e tij ka pritur në takim pune dhe ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me znj. Caroline Onekalit, nga Zyra e OKB – së në Kosovë për Përkrahjen e Komuniteteve, në vlerë prej 27 mijë dollarë, ku parashihet investimi në infrastrukturë publike në zonën ku jetojnë komunitete të ndryshme.
Në fjalën e tij kryetari Haziri, ka falënderuar Zyra e OKB – së për Përkrahjen e Komuniteteve në Kosovë, për financimin e projektit “Green Market” (tregut të gjelbër mobil), në afërsi të objektit të Kishës Ortodokse në qytetin e Gjilanit.
Ai ka thënë se me këtë investim bëhet një zgjidhje e mirë dhe krijohen kushte të favorshme për shitjen e produkteve të ndryshme që janë kryesisht nga fusha e bujqësisë.
Ndërsa, përfaqësuesja e Zyrës së OKB-së për Përkrahjen e Komuniteteve, znj. Onekalit, ka thënë se gjithnjë kanë mbështetur projekte që kanë qëllim bashkëjetesën, punën përkrahjen dhe integrimin e të gjithë qytetarëve pa dallime etnike.
Në këtë takim, kreu i Gjilanit ka përmendur faktin se Gjilani është shembulli më i mirë i respektimit të diverzitetit kulturo, fetar e etnik.