Gjilan, 14 mars / Grupi i Grave të Gjilanit, i thirrur nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi-Emini, ka mbajtur të mërkurën një takim, ku ka zgjedhur Teuta Suliqin për kryesuese të këtij asociacioni, ndërsa Arbëresha Kryeziun për zëvendëskryesuese, të dyja këto këshilltare komunale nga radhët e LDK e LVV.
Në takim ka marrë pjesë edhe nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili ka premtuar mbështetjen e tij dhe të Komunës për Grupin e Grave, që përpiqet për afirmimin e barazisë gjinore në politikë bërje dhe vendimmarrje.
Ndërkaq, Kurteshi-Emini ka thënë se Grupi i Grave të Gjilanit, është asociacion i hapur për forumet e grave dhe shoqërinë civile, të cilët janë të gatshëm të japin kontributin tyre në baza vullnetare sa i përket barazisë gjinore.
Përndryshe, Grupi i Grave të Gjilanit është themeluar disa vite më herët dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në përmirësimin e kriterit gjinor në trupat politike dhe vendimmarrëse, duke e ngritur vazhdimisht nivelin e përfaqësimit të femrës.
Disa nga aktivitet e Grupit të Grave, në të kaluarën, janë edhe lobimi për drejtat e femrës në trashëgimi, kujdes shëndetësor, parandalimin e dhunës ndaj gruas, të drejtat e fëmijëve dhe të tjera.
Grupi i Grave të Gjilanit e konsideron vlerë njerëzore barazinë gjinore në një shoqëri demokratike dhe të zhvilluar.
Objektiva të Grupit Joformal të Grave, janë fuqizimi i rolit të gruas në vendimmarrje, në sferën publike dhe politike, monitorimi i zbatimit të ligjit për barazi gjinore dhe ligjeve tjera që kanë të bëjnë me përparimin e pozitës së gruas në shoqëri, promovimi i mundësive të barabarta dhe të tjera.