Gjilan, 16 prill 2018 – Këshilli i Fshatit Malishevë, nxënësit e shkollës “Abdullah Tahiri” dhe banorë të shumtë të fshatit, kanë bërë homazhe pranë përmendores së dëshmorëve në qendër të fshatit dhe tek varret e martirëve të vrarë në këtë lokalitet.
Rashit Sahiti, kryetar i Këshillit të Fshatit, ka thënë se 19 vjet më parë pikërisht më 16 prill 1999 janë torturuar e më vonë edhe vrarë martirët Adem Salihu, Naser Neziri, Muhamet Ibrahimi, Avdi Mustafa dhe Hasan Mustafa, duke u bërë kështu themel i fuqishëm i lirisë së Kosovës, të cilën po e gëzojmë të gjithë ne së bashku.
Sahiti bëri të ditur, po ashtu, që gjithmonë kjo ditë do të jetë në kalendarin e nderimit të veprës së dëshmorëve, martirëve dhe të rënëve për lirinë e vendit, të cilën populli shqiptarë e ka paguar më gjakun e mijëra të djemëve e vajzave, të cilët tashmë janë në përjetësi.
Xhëlil Neziri, në emër të familjes, ka falënderuar të pranishmit dhe ka kërkuar që për martirët e vrarë në malishevë të ngritet një përmendore në vendin e vrasjes së tyre, e cila do të ishte një kujtim i gjatë në memorjen e brezave të arshëm, që të kujtoheshin gjithmonë ata që kanë dhënë jetën për liri.
Ndërsa, mbesa e Adem Salihut, ajo që bartë emrin e tij Ademina, ka lexuar para të pranishmëve një ese për humbjen e dajës së saj dhe sakrificën e madhe të shqiptarëve në fundin e shekullit që lam pas.