Talenti i madh i futbollit të Kosovës, gjilanasi Mesud Zymberi, i cili aktivizohet për KF Arbëria nga Gjilani, ka shkëlqyer për 12 ditë me Kombëtaren e Kosovës U15 në Baku të Azerbajxhanit. Ai ishte protagonist kryesor në turneun e madh të futbollit të organizuar për herë të parë nga FIFA për këtë grupmoshë.
Sulmuesi Zymberi dëshmoi edhe një herë se është një futbollist premtues, i cili me plot meritë konsiderohet nga njohësit e sportit si një “Xhevahir” i vërtetë i futbollit të Kosovës. Në 10 ndeshje të zhvilluara me fanellën e Kosovës, ai pati një performancë mbresëlënëse duke shënuar 6 gola dhe duke dhuruar 6 asiste, çka e bëri atë njërin ndër sulmuesit më të mirë të këtij turneu historik.

“Për 12 ditë kemi zhvilluar 10 ndeshje, ka qenë një orar shumë i ngjeshur. Kemi pasur paraqitje të mira dhe kjo dëshmon se gradualisht kjo gjeneratë e futbollistëve do ta thotë fjalën e saj në një të ardhme jo të largët,” theksoi sulmuesi Zymberi për mediat.
Përveç arritjeve personale, ai vlerësoi lart edhe frymën e grupit dhe punën e stafit teknik: “Kam pasur fatin të shënoj 6 herë në portat kundërshtare dhe po aq isha edhe asistues, ndërsa përzgjedhësi ynë Ilir Nallbani me këshillat e tij na ka bërë si një familje, duke e dëshmuar këtë edhe në fushë.”

Gjatë këtij kompeticioni intensiv, Kombëtarja e Kosovës U15 arriti të shënojë fitore të rëndësishme ndaj Tahitit, Sierra Leones, Afrikës së Jugut, Maldiveve, Anguilës dhe Burundit. Ndërkohë, ekipi pësoi humbje nga Estonia, Franca, Lituania, si dhe nga Republika Dominikane pas ekzekutimit të penalltive.
Pikërisht ndeshja e fundit kundër Republikës Dominikane i mohoi “Dardanëve” të rinj biletën për në finale.”Me pak fat kemi mundur të jemi pjesë e finales së këtij turneu futbollistik,” shprehet me keqardhje Zymberi. “Nuk patëm fat me Republikën Dominikane. Ndeshjen e përfunduam me rezultat 1-1, por pas ekzekutimit të penalltive ata ishin më të mirë. Për bashkëlojtarët e mi kjo ishte një përvojë e madhe në arenën ndërkombëtare.”
Për t’i dhënë mbështetje dhe kurajo njomakëve U15 në këtë festival të futbollit, i pranishëm në Baku ishte edhe vetë Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi. Prezenca e tij nga afër ishte një motivim i madh për të rinjtë që përfaqësuan denjësisht Kosovën në këtë ngjarje botërore.




