Prof. dr. Labinot BERISHA –
( E lexuar në Gjilan, më 23 prill 2018, me rastin e përurimit të librit QASJE VEPRAVE TË IBRAHIM KADRIUT, vëllimi i dytë, botuar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu” )
Shkrimtari ynë Ibrahim Kadriu ka një veprimtari të pasur e të shumëllojshme letrare, e cila nis me përmbledhjen me poezi “Netët e Karadakut”, të botuar më 1969 nga “Rilindja” e Prishtinës. Nga kjo datë e largët e deri më sot ky autor botoi një varg veprash me vlerë të llojeve të ndryshme, duke dëshmuar praninë në jetën tonë letrare e kulturore për rreth gjysmë shekulli. Kadriu krijoi vepra letrare në poezi dhe në prozë, për të rritur dhe për fëmijë, pastaj radio drama, monografi për figura të rëndësishme të jetës sonë kulturore e shoqërore, vepra të karakterit humoristik, libra shkollorë etj.
Një krijimtari e tillë e pasur zgjoi interesimin e kritikës dhe të vetë shkrimtarëve, të cilët e lexuan dhe e çmuan atë për vlerat e saj, gjë që dëshmohet më së miri edhe me punimet e përfshira në këtë vëllim, pra në vëllimin e dytë me titullin “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut”, të cilit i paraprin vëllimi i parë i botuar më 2014. Në të parin pata përfshirë 112 punime dhe recensione të autorëve shqiptarë dhe të huaj kushtuar veprave të llojeve të ndryshme të Ibrahim Kadriut, ndërsa në vëllimin që po e promovojmë sot kam përfshirë 27 punime dhe recensione të autorëve të ndryshëm kushtuar veprave të tij, qoftë në poezi, në prozë, qoftë veprave të llojeve të tjera, monografi, vëllime me biseda me shkrimtarin të bërë nga autorë të ndryshëm.
Në vëllimin e dytë kam përfshirë dhe disa mendime të shkurtra të autorëve të ndryshëm për veprat e tij që i kam shkëputur nga revista, gazeta ose portale, si dhe për pjesën “E rëndësishme për shkrimtarin: e vërteta artistike”, që e bëjnë tekstet e 11 bisedave, ku Ibrahim Kadriu shfaq një varg mendimesh për dukuri të ndryshme për letërsinë, për veprat letrare të tij dhe të autorëve të tjerë.
Interesimi i autorëve të ndryshëm për veprimtarinë e Ibrahimit lidhet me faktin se ky autor vështroi në veprat e veta fenomene të rëndësishme të rrjedhës jetësore të botës e të njeriut tonë në vijën vertikale dhe horizontale, që ishin aktuale dje, po janë të tilla edhe sot.
Autorët e punimeve të përfshira në të dy vëllimet janë nga emrat të rëndësishëm të jetës sonë letrare dhe kulturore, studiues të letërsisë, kritikë letrarë, shkrimtarë dhe lexues, të botuara më parë nëpër revista, gazeta, portale.
Botimin e këtyre punime në vëllime e përgatita me qëllim që të njihet sa më mirë vepra e shkrimtarit Ibrahim Kadriut, po njëherit edhe puna e autorëve që kanë shkruar për veprat e tij. Pra, edhe vëllimi i parë, edhe vëllimi i dytë, dëshmojnë për lexime, për qasje e për interpretime të ndryshme veprave të njëjta ose të veprave të ndryshme të të njëjtit autor, në rastin konkret të Ibrahim Kadriut. Botimi në një vëllim i punimeve të autorëve të ndryshëm dëshmon edhe për dijen dhe aftësinë e secilit autor të punimeve dhe përshtypjen dhe ndikimin që ka lënë vepra në të dhe si i tillë do të jetë i mirëseardhur për të gjithë ata që do të merren me veprën e Ibrahim Kadriut, për studentë dhe për profesorë.
Dua të theksoj se një punë të kësaj natyre e kam bërë edhe për shkrimtarë të tjerë vetë ose në bashkëpunim me Mehmet Gëzhillin, Albana Alinë etj.
Jam i bindur se me vëllimin – Qasje veprave të Ibrahim Kadriut I dhe II, me vëzhgimet dhe me mendimet e shprehura në punimet dhe recensionet e përfshira në to dhe me ato të shfaqura në tekstin e bisedave, do të mundësohet njohja më e gjithanshme dhe më e thellë e veprimtarisë së pasur krijuese të Ibrahim Kadriut.
Prishtinë, prill 2018