Gjilan, 3 maj 2018 – Manifestimi treditor tradicional kulturor “Ditët e Agimit”, i cili i kushtohet figurës së dëshmorit të kombit, Agim Ramadani, në ditëlindjen e tij ka kulmuar me tubimin qendror madhështor në fshatin Zhegër të Gjilanit me moton “I këndojmë Agimit”, i cili është organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe Shoqatës Kulturore “Ditët e Agimit”.
Pos strukturave komunale, në këtë tubim madhështor kanë marrë pjesë edhe deputetë, bashkëluftëtarë të dëshmorit e përfaqësues nga jeta politike, institucionale e kulturore.
“Më lejoni që në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit ta përshëndes këtë manifestim, në veçanti familjen Ramadani. Unë sot po ndihem i vogël karshi rolit dhe sakrificës së kreshnikut të Karadakut, Agim Ramadani, i cili e shkuli gurin ndarës të shqiptarëve njëherë e përgjithmonë. Agimi ishte njeri i penës e i artit, por, mbi të gjitha, strateg i jashtëzakonshëm i luftës dhe falë rezistencës së tij, ne sot jemi të lire dhe tw pavarur. Dhashtë Zoti që Kosova të bëhet ashtu siç ka dashur Agimi dhe bashkëluftëtarët e tij. Lavdi e përjetshme jetes dhe vepres së tij”, ka thënë para të pranishmëve nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli.
Në emër të Brigadës “138 Agim Ramadani” ka folur Feriz Trezhnjeva, i cili tha se sot jemi në një datëlindje e pavdekësisë të figursë historike të kolosit të kombit, Agim Ramadani.
Ndërsa, bashkëshortja e Agimit, Shukrie Ramadani, e ka falënderuar kryetarin Haziri për organizimin e këtij tubimi, duke shtuar se familja e saj do të vazhdojë ta jap kontributin dhe përkrahjen e përbashkët në interes të të gjithë qytetarëve.
Tubimi “I këndojmë Agimit” është përmbyllur me një program të pasur kulturor-artistik, ku performuan këngëtarët të mirënjohur të estradës kosovare, Ramadan Krasniqi, Gold Ag, Ismet Bexheti etj, përderisa tubimin e ka madhështuar prezenca e ansamblit nga Mirdita e Shqipërisë dhe recitimi i vargjeve kushtuar figurës së Agimit nga ana e Nderit të Kombit, Reshat Arbana.