Libri

MONOLOGU I HAJNIT

Muhamet HALILI

MONOLOGU I HAJNIT

Kam vendosur të rrëfehem. Nuk është dëshmia e fundit, as testament. Nuk i dua gjërat që kanë lidhje me vdekjen. Dua që tregimi për mua të jetë ai që do të dëgjohej nga goja ime e jo nga të tjerët. 
Nuk e keni idenë se si historia jote, po u rrëfye nga një gojë tjetër, po me të njëjtat fjalë, mund të mos i ngjasojë fare historisë tënde reale. Këtë më së miri e di unë, rrëfyesi i shumë historive të të tjerëve, e që pas çdo rrëfimi tim, ato më nuk ishin histori të vërteta.
Të rrëfyerit nuk do ta bëjë as te ndonjë prift, as para imamit të lagjes, e qe besa as te prokurori. Do t’ia rrëfej vetës sime!
Nuk e bëjë nga frika, as nga pendimi. Dua ta përgatis unin që kur të dali para perëndisë, për t’u ballafaquar me gjykimin e sovranit, të jetë i gatshëm për t’u mbrojtur.
Për t’u mbrojtur, jo se dua t’i ik dënimit, por se jam i pafajshëm!!!
Nëse do të isha fajtor atëherë do të duhej të ndëshkohej Perëndia! Tekefundit, a nuk jam krijesë e tij?!
Ndonjë gabim i vogël i mundshëm nga ana ime mund të konsiderohet me të drejt veprim i rastësishëm, ani se ju mund të thoni se asgjë në botë nuk ndodh rastësisht, çdo gjë është e planifikuar. Rastësia është akt i pavetëdijshëm, andaj mos më gjykoni për diçka që e kryej pavetëdije?!
Vendi im është vend i paradokseve, vend ku ngatërrohen definicionet. Shembull një “të mençurit”, veç pse di dhe e shfrytëzon mundësinë i thonë, herë hajn, herë i korruptuar, herë tenderoman, fajdexhi…!
A nuk është nxitje për veprim, fjala e urtë popullore e thënë nga goja e të parëve tanë se: – “Njëherë vjen vera kah dera”!
E pse, kur e kap për herdhe dhe e tredhë mirë e mirë, t’i bëhesh pastaj i keqi, nga ata që thirren në drejtësi?! Absolutisht është xhelozi, jo drejtësi!
Njoh plotë prej tyre, mos të them të gjithë, që tërë ditën vrapojnë pas herdheve të dashit dhe dallimi pse ata pretendojnë se janë në anën e të drejtëve është veçse, pse nuk munden t’i kapin ato!
Nejse, t’i kthehemi temës për të cilën dua të rrëfehem.
Më quajnë hajn pa të drejtë. E kanë gabim. Shumë gabim!
Nuk po mundohem të arsyetohem. Tekefundit, po të isha hajn do të arsyetohesha me arsyetimin ma logjik të mundshëm se kjo nuk varet nga vetja ime. Hajnia është gjenetike. Andaj nuk mund të akuzohem për diçka që është në gjene dhe nuk i kontrollon dot.
Jam lindur të jem i tillë çfarë jam. Unë jam fenomen. Jam sui generis. Jam… milioner!!!
Në këtë kohë të “pishpirik-ut”, jam veçse një realist që dua të jetojë një jetë më të mirë.
Boll kam dhënë nga vetja ime, dua tani të më kthehen të gjitha edhe atë shumëfish.
Vlerësoj se kjo është e drejtë, andaj nuk pranojë gjykim, aq më pak nga ata që nuk kanë dhënë asnjëherë asgjë…!

You Might Also Like