Turneu do të mbahet në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan me datë 2 tetor (e diel).
Në Gjilan edhe sivjet do të mbahet Turneu Ndërkombëtar i Karatesë “Katana Open 2016”. Siç ka theksuar Maliq Maliqi, zyrtar në KK “Dardania”, ky turne është i njëmbëdhjeti me radhë dhe edhe sivjet do të mbahet në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan në datë 2 tetor (e diel). Maliqi ka saktësuar se po atë ditë do të takohen gjyqtarët dhe hapja solemne do të bëhet në ora 10 e 15 minuta.
Sipas Maliqit, do të ketë shpërblime në kumite dhe në kata për vendin e parë, të dytë dhe të treat, medalje dhe diploma, kurse vendi i parë në të dy kategoritë edhe kupë. Do të shpërblehet edhe klubi më masovik ndërkombëtar dhe vendor, si dhe garuesi dhe garuesja më e mirë.
Ai thotë se për të dhënat e sakta të garuesve përgjigjet udhëheqësi i klubit, nëse garon në kategori të gabuar do të diskualifikohen. Çdo garues duhet të ketë pajisjet e domosdoshme personale; brezin e kuq dhe të kaltër, dorezat, mbrojtëset e dhëmbëve dhe të këmbëve. Trajnerët duhet te jenë me veshje sportive, në të kundërtën nuk do të lejohen të hyjnë në palestër.
Secili klub (trajner) mbanë përgjegjësin për gjendjen shëndetësore te garuesve të tij.