Gjilan

Komuna e Gjilanit hap një afat dyjavor për ankesa ndaj emërtimit të rrugëve

Gjilan, 12 korrik 2019 / Duke i marrë parasysh disa pakënaqësi të qytetarëve me emërtimet e rrugëve, ose gabimet teknike që kanë mundur të ndodhin gjatë këtij procesi, Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e fundit, ka formuar një komision, i cili do të merret me shqyrtimin e ankesave.

Komisioni e ka hapur sot afatin dyjavor për dorëzimin e ankesave, që do të zgjat deri më 26 korrik.

Ankesat duhet të dorëzohen përmes Qendrës për Shërbime të Qytetarëve dhe duhet të jenë të qarta dhe të arsyetuara mirë.

Qytetarët të cilët kanë paraqitur ankesa para këtij njoftimi, nuk kanë nevojë t`i përsërisin ato, sepse komisioni do t`i marrë parasysh të gjitha. Nuk do të shqyrtohen vetëm ankesat që paraqiten pas afatit dyjavor, që skadon më datë 26 korrik.

Komuna e Gjilanit pret që pas këtij afati dhe korrigjimeve eventuale që mund t`i propozojë komisioni, në bazë të ankesave të arsyeshme, ta përmbyllë këtë proces, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për unifikimin e sistemit të adresave.

You Might Also Like