Organizuar nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, në këtë qytet është mbajtur Tribuna Shkencore “SYLË ZARBINCA, MARTIR i SHQIPËRISË ETNIKE” në të cilën me punimet e tyre janë paraqitur 12 studiues të historisë.
Kjo ngjarje është mbajtur për nder të 121- vjetorit të lindjes së Sylë Zarbincës dhe 75- vjetorit të zhvillimit të betejës të Kikës (26 korrik 1944).
Tribuna Shkencore punimet i zhvilloi në Bibliotekën “Fan S. Noli” në Gjilan, kurse atë e ka shpallur të hapur Naim Musliu, kryetar i degës së Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, i cili edhe ishte referuesi i parë me temën “Gjenealogjia e familjes së Sylë Zarbicës”
Më pas janë paraqitur edhe studiuesit:
- Avni Maliqi, Fëmijëria dhe rinia e Sylë Zarbincës;
- Jeton Idrizi, Sylë Zarbinca dhe Gjilani gjatë Luftës së Dytë Botërore;
- Faik Sahiti, Sylë Zarbinca një nga prijësit e shquar ushtarak në luftën për liri;
- Enis Abazi, Beteja e Velegllavës;
- Alban Dobruna, Sylë Zarbinca dhe Beteja e Kikës;
- Besnik Kurteshi, Roli dhe kontributi i Sylë Zarbincës në Betejën e Desivojcës;
- Blerim Haziri, Fazli (Ukë) Ramadani, bashkëluftëtar i Sylë Zarbinës, si dhe udhëheqës i Betejës së Çarrit;
- Rexhep Arifi, Roli dhe veprimtaria e Sylë Zarbincës në vitet 1944 – 1946 dhe vrasja enigmatike e tij;
- Fitim Rifati, Pikëpamje psikohistorike mbi vrasjen e Sylë Zarbincës;
- Nexhmedin Sejdiu, Bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sylë Zarbincës;
- Enver Sadiku, Folklori dhe institucionet për Sylë Zarbincën.
Studiuesit kanë çmuar lart figurën e Sylë Zarbicës, në të gjitha aspektet dhe organizatori është zotuar se të gjitha punimet do të kompletohen e të botohen në një libër të veçantë.
Pas paraqitjes së kumtesave është mbajtur edhe debat, kurse familjarë të heroit Sylë Zarbica janë falënderuar për kontributin e dhënë dhe kanë kërkuar që të bëhet më shumë për ata që kanë dhënë jetën në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë.