Gjilan

Haziri: Ky gjysmëvit ishte një periudhë me suksese dhe sfida

Gjilan, 26 korrik / Kuvendi Komunal i Gjilanit, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku ka diskutuar për raportin e punës të kryetarit të Komunës, për periudhën janar-qershor të këtij viti.

Në fjalën e tij para kuvendarëve, kryetari Lutfi Haziri ka nënvizuar sukseset dhe sfidat e kësaj qeverisje, duke konstatuar se Komuna e Gjilanit, në përgjithësi ka arritur të realizojë pjesën më të madhe të objektivave, aktiviteteve dhe detyrave të planifikuara për këtë periudhë.

Kryetari Haziri i ka paraqitur shkurtimisht aktivitetet kryesore të drejtorive, duke thënë se në administratë – fokus kryesor ka qenë rritja e disiplinës në punë dhe efikasitetit në shërbime, në bujqësi – tashmë është vendosur si prioritet mbështetja e bujqve, përkatësisht familjeve bujqësore përmes subvencioneve, në shërbime publike është vazhduar me projekte të mëdha e të vogla në infrastrukturë, si në qytet, ashtu edhe në fshatra, kurse në sektorin e financave, komuna e Gjilanit mund të krenohet sa i përket zbatimit të politikave buxhetore, ka thënë ai.

Njësoj, punë të mira janë bërë edhe në drejtoritë dhe njësitë tjera të qeverisjes, ka thënë kryetari Haziri, duke rikujtuar se Komuna e Gjilanit, është ndër përfituesit më të mëdhenj në programet e jashtme, siç është projekti për ujërat e zeza, që ka një kosto prej 26 milionë euro.

“Ky gjysmëvit nuk paraqet vetëm suksese, por edhe sfida në realizimin e programeve”, ka thënë Haziri, ndërkohë që i ka ftuar të gjitha grupimet politike në Kuvend Komunal që të vazhdojnë të punojnë së bashku për interesa publike të qytetarëve të kësaj komune, pavarësisht situatës politike që është krijuar ditëve të fundit, me dorëheqjen e qeverisë dhe kur vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja.

Kryetari Haziri, nënkryetari Arbër Ismajli si dhe drejtorët komunalë të sektorëve përkatës janë përgjigjur edhe në pyetjet dhe interesimet e këshilltarëve, kryesisht të opozitës. Sa i përket urdhëresës për përdorimin e veturave zyrtare, që siç u tha, ka ndikuar në disa aktivitete ditore tek çështjet sociale, Haziri ka thënë se shfrytëzimi është kufizuar për të ulur shpenzimet, por kjo masë nuk do të ndikojë në ofrimin e shërbimeve sociale.

Sa i përket furnizimit me ujë, nënkryetari Ismajli tha se gjendja nuk është e mirë, prandaj po vazhdohet me reduktime, ndërkohë që jemi në pritje të një shume të mjeteve prej 600 mijë euro, të cilën e kemi kërkuar nga qeveria, për të filluar me disa shpime, por deri më tani nuk kemi marrë ende përgjigje.

Vlerësimet e këshilltarëve komunalë për raportin e punës, varësisht prej grupimeve politike, kanë qenë të ndryshme. Përderisa partnerët e koalicionit e kanë cilësuar të suksesshme punën e kësaj qeverisje, opozita ka thënë se në raport janë pasqyruar vetëm anët pozitive, ndërsa mungojnë ngecjet dhe dobësitë, që sipas saj, janë të dukshme në disa sektorë.

Kuvendi ka diskutuar edhe për raportin financiar të këtij gjashtëmujori, me ç` rast drejtori Zijadin Maliqi është shprehur i kënaqur me të hyrat e përgjithshme të kësaj periudhe, sikurse një debat i gjerë është zhvilluar edhe për raportin e auditorit për vitin e kaluar, i cili është vlerësuar me nota të ndryshme nga pozita dhe opozita.

Po ashtu, në këtë seancë, të fundit për pjesën e parë të vitit, është shqyrtuar edhe raporti i komisionit për organizimin e tubimeve zgjedhore për këshilla lokalë, ku sqarime ka dhënë Avdyl Aliu, kryetar i komisionit, si dhe raporti i Drejtorisë së Arsimit lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor dhe regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme, ku drejtori Nazim Gagica është përgjigjur në pyetjet konkrete të vendimmarrësve.

Kuvendarët kanë miratuar edhe vendimin për ndryshimin e destinimit të planifikuar në disa parcela kadastrale në kuadër të planit rregullues urban “Livadhet e Arapit”, me sipërfaqe prej 65 ari. Drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami ka sqaruar se ndërrimi i destinimit, nga banim individual në banim kolektiv, është kërkesë e pronarëve.

Dy pikat e fundit, vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e tregut të kafshëve në zonën kadastrale Livoç i Poshtëm si dhe vendimi për revidimin e pjesshëm në zonën “Qendra I” në Gjilan, kanë shkaktuar mospajtime në raportin pozitë-opozitë sa i përket përfshirjes ose jo të tyre në rend të ditës.

Në lidhje me tregun e kafshëve në zonën kadastrale Livoç i Ultë, e cila gjendet në afërsi të fshatit Velekincë, opozita (LVV e PDK) kishte votuar kundër në Komitetin për Politikë dhe Financa, me arsyetim se nuk janë konsultuar paraprakisht banorët.

Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së, tha se ndërkohë është mbajtur një takim me banorët e Velekincës dhe pas sqarimeve të nevojshme që janë bërë atje, qytetarët janë pajtuar me këtë projekt.

Ndërkaq, Riza Abdyli, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së, përndryshe nga ky fshat, tha se pjesa më e madhe e këshillit lokal janë deklaruar kundër, derisa rreth 400 qytetarë të Velekincës kanë nënshkruar një peticion ku kundërshtojnë projektin.

Disa këshilltarë komunalë, si Nevzad Isufi, Isa Agushi, Shefik Surdulli, Bujar Nevzati, Shemsedin Ramushi, Arianit Sadiku dhe të tjerë, kërkuan që ky votim të shtyhet për ndonjë seancë tjetër dhe ndërkohë të bisedohet me qytetarë, për t`ua shpjeguar anët e mira të këtij projekti, ose të gjendet ndonjë lokacion tjetër, nëse nuk gjendet mirëkuptim te Velekinca.

Pas sqarimeve që kanë dhënë edhe drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, i cili tha se projekti po politizohet pa nevojë, sepse tregu do të bëhet sipas të gjitha standardeve si dhe drejtori i Urbanizmit, Bekim Bajrami, i cili tha se granti për këtë projekt nuk është fituar me dy rreshta tekst, por është një projekt që komuna e Gjilanit e ka fituar në një garë të ngushtë me krejt Kosovën, Kuvendi e ka miratuar këtë vendim.

Ndërkaq, vendimi për revidimin e pjesshëm në zonën “Qendra I” në Gjilan, edhe pse në fillim u kundërshtua për t`u futur në rend të ditës, pas një debati të shkurtër që u zhvillua në Kuvend, u votua në mënyrë unanime, për të dëshmuar se askush nuk është kundër Bashkësisë Islame, e cila ka kërkuar një hapësirë për të ndërtuar një objekt arsimor-kulturor.

Për të gjitha këto pika është zhvilluar debat i gjerë, ku janë përfshirë shumica e anëtarëve të Kuvendit.

You Might Also Like