Gjilan

Haziri pret delegacionin nga Gjeneva për bashkëpunim në agrobiznes dhe shkëmbim të studentëve e profesorëve

Gjilan, 9 gusht 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune delegacionin nga Gjeneva e Zvicrës, të kryesuar nga prof. dr. François Lefort, të cilët kanë qëndruar në Gjilan për të krijuar urat lidhëse të bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë dhe agro-biznesit, por edhe shkëmbimin e studentëve dhe profesorëve nga kjo fushë dhe lëmi të tjera, me qëllim të përvojave më të mira për punë gjatë të ardhmes.

Në fjalën e tij përmbledhëse , kryetari Haziri ka ofruar bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë për zhvillimin e qëndrueshëm në fushën e bujqësisë, por gjithashtu edhe qëndrueshmërinë në aspektin e ngritjes profesionale dhe përvojave të reja nga Zvicrra.

“Agrokultura dhe zhvillimi bujqësor është baza e qëndrueshme e zhvillimit të regjionit të Gjilanit. Fokusi i Komunës së Gjilanit është orientimi i të rinjve në sektorin e agro-biznesit, sepse potenciali që ka Gjilani është bujqësia dhe kjo do të ndikoj në qëndrueshmërinë e zhvillimit gjatë të ardhmes. Gjilani ka një bashkëpunim shumë të mirë edhe me komuna të ndryshme në Maqedoninë Veriore dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin sepse interes i përbashkët janë kushtet më të mira për qytetarët tanë dhe mirëqenia e tyre”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai, po ashtu, ka potencuar se Gjilani është një qendër e madhe në juglindje të Kosovës dhe ka shumë funksional universitetin “Kadri Zeka” dhe universitetet private, pastaj është një regjion ku janë edhe Batalioni ushtarak i Reagimit të Shpejtë, Policia, inteligjenca etj., që focus i përbashkët është zhvillimi, arsimimi dhe siguria publike për të gjithë qytetarët.

Kurse në fjalën e tij, François Lefort, ka potencuar se vizita që ka realizuar për disa ditë me radhë në Gjilan ka qenë një njohje me potencialin e jashtzakonshëm që është këtu për zhvillimin e qëndrueshëm me focus në sektorin e prodhimit bujqësor, e veçanërisht në prodhimin organic që është në këtë regjion.

“Kemi lidhur disa kontrata për shkëmbim të studentëve nga lëmi të ndryshme dhe jemi të bindur se rezultatet do të jenë positive, sepse gërshetimi i përvojave do të ndikoj në zhvillimin profesional dhe të qëndrueshëm. Jemi pritur shumë mirë nga qytetarët, institucionet universitare, nga prodhuesit bujqësor dhe nga institucionet lokale në Gjilan. Besojmë shumë se bashkëpunimi i Gjilanit dhe Gjeneves në disa sektor do të jetë një vlerë që rezultatet do të preken nga qytetarët këtu”, ka thënë ai.

François Lefort, ka konfirmuar angazhimin maksimal të tij për një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe gjithnjë e më të zgjeruar gjatë të ardhmes.

You Might Also Like