Gjilan

Qendra e Vetëvendosjes në Gjilan përjashton mundësinë që të jetë pjesë e bashkëqeverisjes

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit pati paralajmëruar se mund të ketë ndryshime në qeverisjen komunale në Gjilan dhe pas zhvillimeve në qendër, njëra ndër mundësitë është përmendur ndonjë marrëveshje e mundshme në mes të LDK-së dhe Vetëvendosje për qeverisje në Gjilan. Një gjë e tillë është dukur e mundshme edhe për shkak të përafrimeve në qendër, ku LDK e VV kanë takime të shpeshta për një koalicion të mundshëm.

Mirëpo, sipas, drejtuesve të VV-së në Gjilan, në nivel lokal, një bashkëqeverisje e tillë në Gjilan duket e pamundshëm, ngase VV ka ngritur një varg akuzash në adresë të qeverisjes komunale sa i përket dhënies së tenderëve dhe punësimeve partiake.

“Deklaratat për një bashkëqeverisje në Gjilan në mes të LDK-së dhe VV-së, më shumë kanë shije kozmetike, ngase VV asnjëherë nuk ka preferuar të jetë në një qeverisje të tillë, përderisa nuk marrim mbështetjen e plotë të popullit. Lëvizja Vetëvendosje edhe në fillim të qeverisjes edhe tani ka shprehur synimin për të krijuar një jetë më të mirë të qytetarëve dhe janë të bindur se më këtë qeverisje nuk mund të arrihen synimet e qytetarëve”, ka thënë Nehat Osmani, nënkryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan. Sipas tij, qendra e Vetëvendosjes në Gjilan nuk është për këtë bashkëqeverisje, ngase VV është e përkushtuar për të qeverisje që përmirëson jetën e qytetarëve e jo në forma të tjera.

 

You Might Also Like