Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në solemnitetin e organizuar nga Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI-t), në hapësirat e kësaj ministrie në Prishtinë, ministrja e MASHTI-t, Hykmete Bajrami pos ndarjes së çmimit tradicional “Shaban Jashari”, i nderoi me mirënjohjen “Mësimdhënës i dalluar” edhe mësimdhënësit më të dalluar në nivel të Republikës së Kosovës. Këta mësimdhënës ishin zgjedhur më parë si mësimdhënës më të mirë në komunat e tyre.
Në kuadër të këtyre mësimdhënësve, Festim Shkodra, mësimdhënës i matematikës në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është nderuar me mirënjohjen “Mësimdhënës i dalluar” në nivel shteti për kontribut të veçantë në fushën e arsimit dhe edukimit.
“Kjo është një nder i madh për mua, Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan ku punoj dhe komunën e Gjilanit, si dhe do të jetë një motiv shtesë për punë dhe rezultate edhe më të mëdha”, ka theksuar mësimdhënësi i dalluar Festim Shkodra, i cili këtë mirënjohje ua ka dedikuar të gjithë atyre që dhanë kontribut për lirinë tonë dhe shkollën shqipe si dhe familjes së tij dhe veçanërisht prindërve të tij të ndjerë.