Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorë, ka vizituar sot punimet në asfaltimin e fazës së parë të rrugës hyrëse dhe dalëse Gjilan-Bujanoc, për të cilën tha se po bëhet sipas standardeve europiane.
“Është projekti kryesor i hyrje-daljes Gjilan-Bujanoc. Jemi në fazën finale të realizimit të punimeve të lotit të parë, e cila kap vlerën më të madhe të investimeve. Ky projekt përfshinë jo vetëm asfaltimin, por edhe ndërimin e rrugës, trotuareve, ndriçimin e ri, rrjetin e ri të rrymës, ujërat atmosferik dhe tretmanin e ujërave të zeza. Kjo rrugë, e plotëson kërkesën e kësaj zone dhe eliminon nevojën që në të ardhmen me pasë investime. Pavarësisht që dikush dëshiron t’i qes pikë të zezë, kjo rrugë po bëhet sipas standardeve europiane. Përkundër problemeve pronësore dhe rrjetin nëntokësor që ka qenë i vjetëruar, ne kemi arritur që ta përfundojmë dhe shumë shpejt do të bëhet inaugurimi”, ka thënë Haziri.
Kryetari Haziri tha se po punohet me dinamikë të madhe në infrastrukturë gjithandej territorit të Komunës, në qytet e fshatra.
“Sot, për koincidencë ka filluar edhe ndërtimi i rrugës prej Nasalës në drejtim të Remnikut. Po ashtu, do të filloj ndërtimi i rrugës së Kosaqës, që janë investime të përbashkëta me Ministrinë e Infrastrukturës. Pastaj, ndërtimi i rrugës “Sadulla Brestovci, tek “Tregu i Gjelbërt”, ndërtimi i rrugëve në Llashticë, Lladovë, Malishevë e Epërme dhe e Poshtme, Pogragjë dhe vendbanimeve tjera”, ka deklaruar kryetari i Gjilanit.
Kreu i Gjilanit ka paralajmëruar që pas përfundimit të kësaj rruge, do të fillojnë me hapjen e rrugës Gjilan-Ferizaj dhe Gjilan-Prishtinë, të cilat do të realizohen me financim të BERZH-it dhe Ministrisë së Infrastrukturës.