Gjilan

Gjilani përkujdeset për sigurinë

Në takimin e rregullt të mbajtur sot të Mekanizmit Referues është diskutuar për hapat e ardhshëm të këtij mekanizmi dhe për funksionalizimin e plotë të kësaj trupe për parandalim, vlerësim dhe identifikim të hershëm të rasteve që mund të përfshihen në akte të cilat shpiejnë në ekstremizëm, radikalizëm dhe terrorizëm.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe kryetari i Komunës, Lutfi Haziri dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Lulzim Fushtica, të cilët potencuan rëndësinë e angazhimit permanent të kësaj trupe, në krijimin e sigurisë së përgjithshme për qytetarët e Komunës së Gjilanit.

“Në këtë mekanizëm, anëtarët janë nga të gjitha institucionet duke nisur nga policia e shtetit, prokuroria, arsimi, shëndetësia, rinia, enti i punësimit, qendra për punë sociale dhe institucione e organizime të ndryshme shoqërore. Angazhimi im është i përhershëm dhe do të vazhdoj të jem gjithmonë në takimet e Mekanizmit, në mënyrë që të jemi edhe më mirë të organizuar në parandalim, identifikim dhe adresim të rasteve eventuale, por edhe informim në përgjithësi”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka potencuar rëndësinë që ka kjo trupë në sigurinë e përgjithshme të qytetarëve të Gjilanit, duke qenë të mbështetur edhe nga nivelet më të larta institucionale duke përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, OSCE, Ambasadën Amerikane, UNDP, etj.

Edhe, Lulzim Fushtica, nga MPB, ka thënë se ky është Mekanizmi i vetëm Referues në nivel të vendit që trajton drejtpërdrejtë problemet e kësaj natyre, duke qenë gjithnjë nën koordinimin e MPB-së duke u dëshmuar që vërtetë po punohet në këtë drejtim.

Fushtica, poashtu, ka paralajmëruar edhe ngjarjet të cilat e presin Mekanizmin Referues, por edhe aktivitetet që do të ndërmerren karshi nevojës për të punuar në këtë drejtim si dhe në ngritjen e kapaciteteve për anëtarët e këtij Mekanizmi.

Në këtë takim u theksua se Gjilani si Komunë që tashmë është pjesë e “Strong Cities Netëork Global”, po punon me vendosmëri që detyrat të cilat i ka si anëtarë, t’i përmbushë vazhdimisht, që nga niveli lokal të parandalohet përhapja e ekstremizmit të dhunshëm apo çfardo rasti që përfshinë ekstremizmin, radikalizmin apo terrorizmin.

You Might Also Like