Klubi Futbollistik Gjilani ka pasur një finish fantastik të stinorit vjeshtor, ngase ka arritur rezultate të shkëlqyeshme. Si duket humbja nga Ferizaj para katër javëve ishte një mësim i mirë për gjilanasit, të cilët që nga atëherë kanë vetëm rezultate pozitive, së fundi duke mundur dy emra të njohur të futbollit kosovar Prishtinën në fushë të vet dhe Trepçën në udhëtim.
Gjilani që nga minutat e para të ndeshjes në Mitrovicë bëri me dije se ka udhëtuar për pikë të plota, por nuk shënoi deri në minutën 42, kur për herë të parë ka realizuar nëpërmjet Zgjim Mustafës.
Trepça që është në pozitë të pavolitshme në tabelë, me ngulm kërkonte barazimin dhe pati raste të mira në fillim të pjesës së dytë, por një gol i Egzon Shabanit më minutën 60, sikur ua këputi këmbët atyre, ngase tashti rezultati ishte 0:2.
Në minutën 62 ka ndodhur një rast jo i zakontë. Kryetrajneri mysafir deshi të ndërronte Samir Sahitin e vendasve, i cili ishte i ndëshkuar edhe me karton të verdhë dhe rrezikonte që me një të dytë të largohet, por ai nuk pranoi që të zëvendësohet.
Me këtë fitore, Gjilani ka arritur në kuotën e 25 pikëve, derisa me këtë humbje Trepça edhe më tepër ka zbehur gjasat për të mbetur në elitë, aq më parë që në ndeshjen e fundit pati shënuar fitore ndaj Besës favorite në Pejë.