Zgjedhjet komunale në Gjilan kanë përfunduar kaherë, por veç emrit të ri të kryetarit të komunës, Alban Hyseni, edhe më tej nuk është konsistuar qeverisja komunale.
Dy subjekte politike, Vetëvendosje dhe PDK kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje në Gjilan, por edhe më tej nuk është vendosur se kush do t’i udhëheq dikasteret në komunën e Gjilanit.
Këtë të martë, nëpër portale kanë nisur të qarkullojnë emra se ky apo ai personalitet do të udhëheq me këtë apo drejtori, por që ato mbeten vetëm spekulime.
Kryesisht janë përmendur emra nga dega e PDK-së se kush do të mund të ishte drejtor në qeverisjen e Alban Hysenit.
Riad Rashiti, që është koordinatori degës së PDK-së në Gjilan, ka dalë me një sqarim për opinionin, duke përgënjeshtruar zërat që po shfaqen nëpër media. Në sqarimin e tij është thënë:
Sqarim për publikun:
PDK në Gjilan ende nuk ka vendosur për emrat e zyrtarëve të saj për pozitat që i takojnë si partner të koalicionit në bashkëqeverisjen komunale.
Emrat e publikuara në disa portale, nuk qëndrojnë si të tilla. Ditëve në vijim PDK në Gjilan do të vendos për emrat e drejtorëve, bazuar në parimet për një qeverisje të mirë dhe në kriteret e caktuara si PDK.
Kryelajmi.com