ARSIMI

Kërkohet rishikimi i vendimit për zhvendosjen e shkollës së Bujqësisë

Komiteti i Arsimit ka diskutuar të premten për gjendjen në arsim, me ç`rast opozita (PDK e VV) ka kërkuar shkarkimin e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës, për shkak të, siç ka thënë, pa rregullsive që kanë ndodhur në këtë sektor gjatë mandatit të saj e sidomos mbylljen e shkollës së Bujqësisë dhe zhvendosjen e nxënësve në objektin e shkollës Teknike, por kjo kërkesë nuk i ka marrë votat e mjaftueshme. Dy anëtarë (Leonora Bunjaku e Fehmi Sylejmani) kanë qenë për, dy të tjerë kundër (Arben Mehmeti e Idriz Ramadani), ndërsa njëra, Shukrije Rapuca, ka abstenuar. Drejtoresha Shqipe Kastrati ka munguar në këtë mbledhje të Komitetit të Arsimit, që është trupë ndihmëse e Kuvendit Komunal.

Arben Mehmeti, kryesues i KA, ka thënë se ne të LDK-së jemi kundër kërkesës për dorëheqje të drejtoreshës, sepse vlerësojmë që vendimi është marrë pas një analize paraprake të gjendjes në këtë shkollë.

Pas një debati të gjerë, ku kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët e pranishëm në këtë takim, Komiteti i Arsimit ka rekomanduar ndryshimin e vendimit për mbylljen e shkollës së Bujqësisë, përkatësisht transferimin e nxënësve të saj në objektin e shkollës Teknike.

Njëherësh, ky Komitet ka miratuar edhe disa udhëzime për Drejtorinë e Arsimit, ku kërkohet që kontrollimi i ditarëve të punës, të bëhet në përputhje me rregulloret profesionale. Udhëzimi tjetër ka të bëjë me ndalimin dhe sanksionimin e atyre që kanë lejuar regjistrimin e nxënësve nga shkollat profesionale në shkollat tjera, gjatë vitit shkollor dhe pa i plotësuar kriteret. Për më tepër, është kërkuar të sanksionohen përgjegjësit, të cilët kanë lejuar regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme jashtë dispozitave ligjore.

Po ashtu është kërkuar që pranimi i kuadrit arsimor të bëhen në përputhje me ligjet në Kosovë.

Komiteti ka kërkuar më shumë kujdes edhe te çështja e zbatimit të ndalesave në paga ndaj personalit mësimor, duke sugjeruar që kjo të jetë në përputhje me rregulloret përkatëse, meqë, siç u tha, ndalesat kanë qenë të njëanshme.

You Might Also Like