Lëvizja VETËVENDOSJE! uron të gjithë besimtarët muslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen, për festën e Fitër Bajramit.
Pas një muaji agjërim ku besimtarët treguan qëndrueshmëri dhe vetëpërmbajtje, dëlirësi e solidaritet me njëri-tjetrin, sot ata kudo në botë festojnë Fitër Bajramin.
Urojmë që sikurse në muajin që e lëmë pas dhe si në këtë ditë feste ku ata që kanë më shumë japin për ata që kanë më pak, t’i gjendemi përherë atyre që janë në nevojë e të angazhohemi përditë që shoqëria jonë të jetë sa më e barabartë dhe solidare.
Sakrifica dhe devotshmëria e muajit të ramazanit duhet të jetë shembull i angazhimit për shoqërinë dhe shtetin tonë, kurse solidariteti dhe afërsia që e karakterizojnë festën e Fitër Bajramit duhet të jenë vlera të përhershme të shoqërisë dhe mbarë njerëzimit.
Gëzuar Fitër Bajrami me urimet më të përzemërta për sa më shumë mbarësi e begati në familjet tuaja.
Shëndet e mirësi për secilin!
Urime!