ARSIMI

U pensionua profesoresha e fizikës, Xhylferije Rexhepi – Veliu

Pas më tepër se katër dekada punë në procesin edukativo-arsimor, e premtja që e lamë pas ishte e fundit për profesoreshën e shkëlqyeshme të fizikës, Xhylferije Rexhepi – Veliu.

Që prej ditës kur nisi  punën në arsim, profesoresha Xhylferije asnjëherë nuk iu nda këtij profesioni për 40 vite e tetë muaj, për të dalë në pension ballëhapur e faqebardhë, ngase misionin e saj e përfundoi me sukses, duke qenë një ndër profesoreshat më të përkushtuara, më të mira e më punëtore.

Në ditëlindjen e saj të 65-të, ditën e premte, kolektivi i shkollës teknike “Mehmet Isai” së bashku me kryesinë e nxënësve të shkollës, kanë organizuar një pritje përshëndetëse për t’i uruar datëlindjen 65-të dhe pensionin e saj. Me këtë rast, janë thënë fjalë miradije për punën e profesoreshës Xhylferije, e cila ishte një punëtore e paepur, pedagoge, mësimdhënëse e afërt me nxënës dhe shumë e përkushtuar në punën e saj.

Drejtoresha e shkollës teknike “Mehmet Isai”, Lumnije Tahiri, ka kujtuar se profesoreshën Xhylferije e kishte mësuese që nga ditën e parë e shkollës së mesme, duke e vlerësuar punën e saj në dekada, përkushtimin në misionin e saj të ofrimit të dijes për këto katër dekada.

“ Shkolla jonë dhe kolektivi shprehim admirimin dhe falënderimin për gjithçka që profesoresha u ka ofruar brezave të tërë të nxënësve. Falënderimin e mirënjohjen për sinqeritetin, thjeshtësinë, mbështetjen që na ka ofruar të gjithëve”, ka thënë  drejtoresha, duke i dëshiruar pensionin e jetë të gjatë së bashku me familjes e saj.

Në emër të kolektivit, profesoresha Nexhmije Hajrullahu, ka thënë se profesoresha Xhylferije ishte model dhe shembull për të gjitha femrat. “Ishe model i yni, ishe largpamëse për një të ardhme të shkollimit të vajzave të reja, ishe model për ne që sot ne jemi këtu. Një mësimdhënëse me vizion për të ardhmen”, tha ajo, duke theksuar se ky profesion do durim, do përkushtim, ky këto gjera asnjëherë nuk i kanë munguar profesoreshës Xhylferie.

“Pensionimi juaj është një nga momentet historike në jetën tuaj, është kapitull, ky na sinjalizon rrugëtimin që ke kaluar rininë, duke punuar ndershëm. Tani nga sot fillon një fillim të ri që do të shijoni momentet më të çmuara me familje”, ka thënë profesoresha Nexhmije.

Edhe profesoresha Magribe Neziri – Uruqi, ka evokuar kujtime nga e kaluara, duke theksuar se gjithmonë ka qenë po kjo që është edhe sot. “Shkolla jonë gjithmonë do të mbetet edhe shtëpia e jote dhe kurdo do të mirëpresim sikur të mos kesh shkuar kurrë. Gëzuar pensionimi e ditëlindja. Të faleminderit për gjithçka”, ka thënë Neziri – Uruqi.

Me këtë rast, në fjalën e vet përshëndetëse, profesoresha Xhylferije Veliu, tha se çdo punë e filluar i vije edhe fundi.

“Qenka e vështirë të ndahesh nga ditari që mbi 40 vite e ke mbajtur në duar. Do ta shoh edhe në ëndërr. Por jam e lumtur që e prita këtë ditë. Unë ju falënderoj të gjithëve për këtë organizim, drejtorin e shkollës, kolektivin dhe nxënësit”, ka thënë profesoresha Xhylferije Veliu.

Ajo tha se do të ndihet krenare që punoi në një kolektiv të tillë, me mësimdhënës të përkushtuar, nxënës të shkëlqyer e një ambient shumë miqësor. “ Mendoj se kam punuar me përkushtim dhe pa asnjë përtesë. Gjithnjë kam bërë përpjekje që të përçojë sa më shumë njohuri tek nxënësit”, ka thënë ajo.

Biografia e profesoreshës Xhylferije Rexhepi – Veliu

Profesoresha Xhylferije u lind në fshatin Malishevë të Gjilanit, fshat në të cilin e kreu Shkollën Fillore, në ish-shkollën “Emin Duraku” e që tashti e mbanë emrin e heroit Abdullah Tahirit. Shkollimin e mesëm e përfundoi në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan dhe si një ndër nxënëset më të dalluara, studimet i nisi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, drejtimi i Fizikës, në vitin 1977.

Katër vite më pas,  ajo u punësua profesoreshë e Fizikës në vitin shkollor 1981/1982 në ish-shkollën e atëhershme të Arsimit të Mesëm  të Orientuar “Boro e Ramizi” në Gjilan, kurse në vitin 1988 kaloi në Shkollën “Eduard Kardelj”, tashti Marin  Barleti.

Që nga viti 2006 kaloi në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai”, ku punoi deri në pensionim.

Profesoresha Xhylferije, edhe në kohët më të vështira për arsim shqip, asnjëherë nuk iu nda këtij profesioni kaq të rëndësishëm e human, duke arsimuar e edukuar shumë breza për 40 vite e tetë muaj me radhë. /Ahmet Bilalli & kryelajmi.com/.

You Might Also Like