Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, ka mbajtur konferencë për medie në selinë e LDK-së në Gjilan.
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Ndërmarrësi dhe Agrikulturë, Prof. Fidan Qerimi, ka paraqitur para medieve shqetësimet e qytetarëve të Gjilanit në lidhje me ngecjet në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Drejtoria për Buxhet dhe Financa në objektivin Realizimi i projekteve në përputhje me kontratën, ligjet, rregulloret dhe procedurat e aplikueshme ka listuar ngjarjen e “Mbivlerësimit/nënvlerësimi të kërkesave buxhetore nga drejtoritë dhe programet buxhetore rreth planifikimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore”.
Si shkaktarë janë:
1. Nevojat e reja dhe ndryshimi i rrethanave,
2. Mos vlerësimi i saktë i kostove të kërkesave buxhetore,
3. Mungesa e kapaciteteve në përgatitjen e buxhetit”,
Të cilat krijojnë pasoja në:
1. Dështim për të siguruar mjetet buxhetore për të plotësuar kërkesat e departamenteve,
2. Drejtoritë dështojnë të përmbushin objektivat e tyre,
3. Buxhet i pashpenzuar,
4. Mos realizim i kërkesave dhe i nevojave,
5. Anulim i procedurave të blerjeve dhe nevoja për përsëritje të tyre,
6. Dështim për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve”,
Për këtë rrezik është planifikuar që të:
1. Trajnohet stafi për rritjen e kapaciteteve planifikuese,
2. Kujdes i shtuar gjatë procesit të planifikimit,
3. Vlerësimi i kostove të kërkesave buxhetore i bazuar me çmimet e tregut.
Fatkeqësisht, kjo metodë e përdorur për identifikimin, vlerësimin, trajtimin dhe monitorimin e rreziqeve është kopjuar dhe nuk po adresohet në mënyrë profesionale dhe gjithëpërfshirëse. Vlerësoj se kjo mënyrë e reagimit nga komuna është e pamjaftueshme dhe shumë e paqartë. Duhet që udhëheqja komunale të krijojë një qasje të strukturuar dhe të detajuar për tu siguruar se secili problem komunal/qytetar të adresohet në mënyrë efektive. Pastaj, buxheti komunal të përdoret në mënyrë optimale për të përmbushur nevojat e qytetarëve, e jo të ndikohen politikisht për qëllime të përfitimeve individuale e aq më pak të keqpërdorimeve.
Zvarritja e proceseve tenderuese nuk është bërë nga OSHP-ja, por shkaktar i kësaj zvarritje është planifikimi jo adekuat, përdorimi e kritereve jo adekuate dhe mos respektimi i atyre kritereve.
I njëjti dokument tregon se buxheti nuk përfaqëson nevojat dhe kërkesat e komunitetit që përfaqësojnë asambleistët dhe nuk siguron zhvillim në fushat prioritare, ku kjo ka për pasojë dështimin e Komunës në realizimin e objektivat zhvillimore të komunës.
Po ashtu, në kuadër të furnizimit me mallra dhe shërbime në kohë të duhur, brenda buxhetit dhe cilësisë adekuate për të përmbushur caqet operative të komunës, janë evidentuar:
1. Mungesë e buxhetit,
2. Mallrat dhe shërbimet nuk janë sipas kontratës,
3. Ka neglizhencë ose veprime të qëllimshme,
4. Dërgim i faturave nga drejtoritë përkatëse te zyra e financave me vonesë,
5. Mungesa e dokumenteve mbështetëse për kryerjen e pagesave.
Në Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik është evidentuar mungesa e:
• Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal – ku po humben 4 vjet pa një orientim strategjik të zhvillimit ekonomik.
• Mungesa e projekteve të reja/investimeve – kjo tregon se qeverisja nga praktikantët nuk ka qenë në gjendje të krijojë projekte investive.
• Mosgatishmëria e krijimit të grupeve të interesit, për bashkëpunim në përgatitjen e strategjisë zhvillimore lokale, tregon se Komuna e Gjilanit ka një qeverisje e ngushtë, duke përjashtuar çdo komunitet biznesor.
• Mos mundësia e aplikimit në projekte në fondet IPA apo cilin do fond që financohet nga Bashkimi Evropian apo edhe SHBA-të, duhet të ketë ekspertizë dhe llogaridhënie, e që kjo i ka munguar Komunës së Gjilanit. Kjo faktohet nga raportet e transparencës, ku po citoj Raportin e KDI-së i cili thotë: “Sipas gjetjeve të Transparometrit Komunal për vitin 2023, Komuna e Gjilanit është vlerësuar me 39 pikë gjithsej nga 100 pikë maksimale”.
• Mungesa e zonës ekonomike – është premtim i pa realizuar dhe nuk do të mund të bëhet në këtë mandat.
Po ashtu, Komuna e Gjilanit është përfituese e projektit për efiçiencë energjetike nga Fondi i Mileniumit falë aplikimit të suksesshëm nga qeverisja komunale e LDK-së. Ky projekt ka pasur në program izolimin dhe standardizimin e 10 shtëpive nga Fondi dhe 40 shtëpi të tjera do të duhej që të përfundohen me fonde vendore. Fatkeqësisht ky projekt është me vonesë dyvjeçare.
Të gjitha identifikimet nga gazetarët hulumtues, nga opozita e Gjilanit por edhe nga vet udhëheqja komunale, tregojnë katandisje organizative, zhvillimore dhe financiare të Komunës së Gjilanit.
Kjo udhëheqje komunale nuk ka arritur as pas tri viteve të tejkalojë punën praktike në udhëheqjen komunale dhe vazhdon t’i humb mundësinë e zhvillimit dhe mirëqenies qytetarëve të Gjilanit.
Gjilani meriton një qeverisje të përgjegjshme dhe me orientim zhvillimor.