Gjilan

Gazetarët nga të gjitha trevat shqiptare duhet të bashkëpunojnë  për të rrahur tema që janë me interes për qytetarët

Me nismën e ish-zëdhënësit të UÇK-së për Zonën Operative të Karadakut, Ismet Sylejamni, në zyrën e tij në Ndërmarrjen “Vatra” në Gjilan,  këtë të mërkurë pati një bashkëbisedim të përzemërt në mes të gazetarëve nga Gjilani dhe gazetarit të njohur Seladin Xhezairi, i cili pos që ishte korrespondent i gazetave dhe televizioneve brenda dhe jashtë vendit, tashti ai është një analist me përvojë dhe kryeredaktor i portalit Klubi i Debatit Politik (kdp.mk).

Në këtë takim miqësor janë rrahur tema të ndryshme për gazetarinë dikur dhe për trendet dhe zhvillimet e tashme në gazetarinë kosovare dhe jashtë saj, por nuk janë lënë anash as debatet për  zhvillimet politike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut e që përfundim i përbashkët ishte se nevojitet një koordinim dhe bashkëpunim më i madh në mes të gazetarëve për të rrahur tema që janë me interes për qytetarët, sikurse që është vlerësuar se edhe faktori politik shqiptar në Kosovë, por edhe në Maqedoni të Veriut duhet të vë në pah dhe të angazhohet në të mirë të popullatës nga e cila ka marrë besimin.

Në një bashkëbisedim të përzemërt dhe tejet domethënës me gazetarët gjilanas Muhamet Halili (2lonline.com), Xhemajl Veseli (tvgjilani.com), Besim Toska, ish-gazetar në shumë mediume kosovare, Fatlum Kosumi (lumipress) dhe Enver Sadiku (kryelajmi.com),  Seladin Xhezairi, gazetar me përvojë ka shpalosur përvojat e tij që nga koha kur populli shqiptar në ish-Jugosllavi po kalonte momentet më të vështira që nga marrja e autonomisë së Kosovës, gjendjen e vështirë të viteve të nëntëdhjeta, lufta çlirimtare në Kosovë, por edhe për luftën çlirimtare të shqiptarëve në trojet e tyre etnike, sikurse që me një theks të veçantë është ndalur te zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, rolin e subjekteve politike atje për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Ai ka folur për rolin e madh të liderit të shqiptarëve atje, Ali Ahmeti, i cili gjatë gjithë angazhimit ushtarak dhe politik të tij ka luftuar për të drejtat e popullatës dhe avancimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për të qenë i barabartë.

Ky takim është mundësuar falë luftëtarit të paepur për lirinë e Kosovës dhe ish-zëdhënësit të Zonës Operative të Karadakut, Ismet Sylejamni, i cili tashti është një afarist i njohur dhe një veprimtar i palodhshëm për afirmimin e vlerave kombëtare, duke qenë i gatshëm të kontribuojë gjithnjë atje ku e kërkon atdheu. Sipas Sylejmanit, takime të tilla janë të mirëseardhura dhe që i shërbejmë unifikimit të shqiptarëve e roli i gazetarëve në këtë aspekt është shumë i madh. Në zyrën e tij, Syelejmani ka posedon numër të madh të dëshmive për luftën çlirimtare të UÇK-së, fotografi të shumta nga aktivitetet e pasluftës, tubimeve në shenjë falënderimi për miqtë amerikanë, për rivarrimin e heronjve të luftës për liri në Kodrën e Dëshmorëve, ngritjen e përmendoreve të luftëtarëve të lirisë së shqiptarëve, por edhe të shumë  ngjarjeve historike nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar.

You Might Also Like