Gjilan

“Future Minds Academy” ofron bursa njëvjeçare për nxënësit e dalluar të Gjilanit në fushën e teknologjisë

Ishte larguar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shumë i ri, kur kishte qenë nxënës i Gjimnazit „Zenel Hajdini“. Atje ishte shkolluar, kishte bërë emër në shkencat kompjuterike, kishte punuar për kompanitë më të mëdha në SHBA në Silicon Wally (vend ku gjinden start up dhe kompanitë globale të teknologjisë) dhe pas 25 vitesh të kaluara në SHBA tashti ka vendosur të kthehet në vendlindje për të dhënë kontributin në vendlindje.

Ridvan Aliu tashti në Gjilan ka hapur Kompaninë “Future Minds Academy” dhe po bart përvojat e marrura në SHBA tek të rinjtë e talentuar në fushën e teknologjisë, ka aftësuar e punësuar qindra të rinj, të atillë që kanë hapur bizneset e veta e që kanë përfituar mbi 400 mijë dollarë projekte.

Këtë të shtunë, ai u kishte bërë ftesë drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve të matematikës e TIK-ut, këshilltarëve për karrierë për të biseduar për ofrimin e bursave për nxënësve të Shkollave të Mesme të Ulëta dhe Shkollave të Mesme të Larta për t’i njoftuar ata se “Future Minds Academy” do të ofrojë burse për një vit, nga 60 euro në muaj, 5 bursa për çdo shkollë, ku ndër kriteret do të jenë njohja e gjuhës angleze, njohuritë nga TIK-u, programimi dhe aftësi të tjera, të cilët më pas do të përgatiten në shtatë fusha të ndryshme në sferën e teknologjisë.

Një fjalim motivues ka mbajtur Qazim Aliu, profesor i Gjuhës Angleze, veteran i arsimit, i cili pasi ka folur për rrugëtimin e tij jetësor, i ka inkurajuar të rinjtë që të mësojnë, të aftësohen e të punojnë në të mirën e vendit.

Arsim Shala, ka shpalosur përvojën e tij, duke qenë i punësuar në Kombet e Bashkuara, në vende të ndryshme të botës e në kompani të mëdha zvicerane, por që tashti edhe ai është angazhuar në këtë Akademi për t’i kontribuar vendit të vet, derisa Shpend Nuhiu, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan ka theksuar se Drejtoria e Arsimit në Gjilan do të përkrahë këto projekte, nga të cilat do të dalin kuadro për tregun lokalë, të Kosovës dhe atë botëror. Nuhiu tha sde me “Future Minds Academy” kanë nënshkruar memondarimin e bashkëpunimit.

Bregan Isufi, nga Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit, ka thënë se bashkë me Ridvan Aliun kanë vendosur që prej tash e tutje, Gjilanin apo kryeqytetin e Matematikës ta shndërrojnë edhe në kryeqytet të Teknologjisë Informative.

Talentëve të qytetit po ju ofrohet një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin e tyre. Zhvillimi dhe avancimi i tyre do të përkthehet direkt në zhvillim ekonomik të komunës sonë. Me anë të kësaj marrëveshje, nxënësit fitues të OMGj 2025 (cikli 7-9) do të përfitojnë bursa në programet trajnuese që ofron Future Minds Academy.

“Po stimulojmë talentet dhe po ua gjejmë atyre vendin e duhur”, ka thënë Isufi.

Ndryshe, drejtorët e shkollave, mësimdhënësve e matematikës e TIK-ut, këshilltarët për karrierë dhe të pranishmit e tjerë janë ndalur në një bashkëbisedim me drejtuesit e “Future Minds Academy”, duke kërkuar shtigje të përbashkëta për të mirën e të rinjve tanë. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like