Ambasadori i Austrisë në Kosovë Gernot Pfandler, ka vizituar të enjtën komunën e Vitisë, me që rast, fillimisht është pritur në ambientet e komunës nga kryetari Sokol Haliti, i cili e ka njoftuar për zhvillimet e gjithmbarshme, të arriturat, si dhe karakteristikat zhvillimore e bujqësore që posedon komuna e Vitisë. Edhe ambasadori Pfandler u shpreh i kënaqur me të arriturat dhe progresin e arritur në komunën e Vitisë, ndonëse ishte për herë të parë në vizitë në këtë komune. Ai shprehu gatishmërinë për përkrahje të vazhdueshme kësaj komune me projekte të nevojshme.
Më pas ata kanë marrë pjesë edhe në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit e projektit “Zhvillimi i Integruar Territorial- InTerDev 2 . Me këtë rast, ambasadori Pfandler është shprehur se nga ajo që ka pasur rastin të njoftohet gjatë vizitës në Viti, ka kuptuar se Vitia është një vend rural me tokë të pasur bujqësore por edhe klimë të mirë për zhvillim të biznesit dhe zhvillimit të ekonomisë. “Projektet ekonomike mundësojnë që të sjellim këtu disa ekspertiza, që kanë të bëjnë me zonat rurale, pasi që si kjo pjesë e Kosovës, kemi edhe në Austri. Unë ju konfirmoj se Austria do të jetë e angazhuar të mbështes
dhe përkrah proceset që kanë të bëjnë me zhvillimin në Kosovë, veçanërisht në zonat rurale”, ka thënë Pfandler.
E kryetari komunës Sokol Haliti në fjalën e rastit , pasi ka shprehur falënderimet e Institucioneve të komunës së Vitisë për Qeverinë e Austrisë dhe ambasadorin Pfandler në veçanti, ka ri konfirmuar përkushtimin e komunës së Vitisë që të jetë partner shumë aktiv në implementimin e këtij projekti. “Ne si komunë jemi të vetëdijshëm për mundësit e vogla të përfshirjes së kategorive të ndryshme siç janë gratë, të rinjtë, njerëzit me nevoja të veçanta dhe kategoritë me rrezikshmëri të mos përfshirjes në proceset e zhvillimit dhe punësimit, prandaj konsiderojmë se projektet e tilla në masë të madhe ndihmojnë në zbutjen e papunësisë dhe përfshirjes së kategorive të lartpërmendura në proceset zhvillimore të komunës së Vitisë”, ka thënë kryetari Haliti.
Më pastaj u nënshkruan edhe kontratat me 3 përfitueset e grandit nga ADA austriake, Bukurije Alidema, Valdete Sahiti dhe Sevdije Isaku. Projekti “Zhvillimi i Integruar territorial”-InTerDev2, realizohet me fondet e bashkëpunimit austriak për Zhvillim ADA dhe implementohet nga programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP./ Aziz Zuka