Gjilan

Sërish shtyhet për një seancë tjetër raporti i punës së kryetarit për vitin 2024, raporti financiar për vitin 2024 dhe raporti financiar janar-mars 2025

Gjilan, 29 prill 2025 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, në seancën e të martës, ka shtyrë për mbledhjen e radhës raportin e punës së kryetarit për vitin 2024, raportin financiar për vitin 2024 dhe raportin financiar janar-mars 2025, pasi shefat e grupeve të partive opozitare nuk pranuan të diskutonin për këto pika në mungesë të kryetarit të Komunës në sallë.

Fillimisht, kreu i Komunës, Alban Hyseni, kërkoi që të futet në rend dite bartja e mjeteve në vlerë prej 2.5 milionë euro, kërkesë kjo që nuk mori shumicën e votave.

“Bartja e këtyre mjeteve paraqet nevojat reale të Komunës për projektet që do të realizohen. Përndryshe, një pjesë e madhe e projekteve do të ngecin si pasojë e mos-bartjes së mjeteve”, ka thënë kryetari Hyseni, i cili pasi nuk kaloi kjo pikë, lëshoi sallën e mbledhjeve, ku edhe mbajti një konferencë për media përkitazi me këtë.

Ndërkohë, Kuvendi ka miratuar sot vendimin për ndarjen e lokacionit për ndërtimin e kullës-muze për heroin Agim Ramadani, në Zhegër, të cilin e ka arsyetuar drejtori për Kadastër, Bekim Salihu, propozim vendimin për aprovimin e kontratës mbi ndërtimin e përbashkët në pjesët e ngastrave kadastrale nr 4790-1 dhe 5450-4 që janë prona komunale, propozim vendimin për aprovimin e kontratës mbi ndërtimin e përbashkët në pjesët e ngastrave kadastrale nr. 4406-0 dhe 4781-0, propozim vendimin për lejimin e këmbimit të pronave të paluajtshme me pronat e Kadrush Sylës nga Gjilani, Hisnije Halimit në Zhegër dhe Nexhmedin Ibrahimit (Përlepnicë).

Në këtë seancë, është diskutuar edhe për raportin e suksesit të nxënësve për vitin 2024, ku u theksua se ka rënie të suksesit të nxënësve e humbje të orëve të mësimit, të cilëve u është përgjigjur drejtori i DKA-së, Shpend Nuhiu, derisa me iniciativë të Gentrit Murselit, Kuvendi ka diskutuar edhe për çështjen e organizimit të ekskursioneve për maturantët, pikë kjo në të cilën pati kritika të ashpra nga asambleistët e partive opozitare (LDK-PDK), lidhur me ndalimin e ekskursioneve nga Komuna e Gjilanit në vitin e kaluar.

Kuvendarët e Gjilanit në seancën e sotme kanë miratuar edhe raportin për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, raportin e Komisionit për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave për emërtimin e rrugëve, kërkesën e historianit Aliriza Selmani, për vendosjen e një tebeleje në ish-objektin famëkeq OZNA në shenjë përkujtimi të më shumë se një mijë shqiptarëve të pafajshëm të likuiduar pa gjyq mes viteve 1944-1945, derisa për çështje procedurale ka anuluar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej 17 mijë euro për ngritjen e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së.

Ndërkaq, raporti i Komisionit për vlerësimin e figurave historike dhe anulimi i raportit nga mbledhja e kaluar dhe formimi i Komisionit të ankesave për këshillat kokalë, janë shtyrë për seancën e radhës.

Përndryshe, në këtë seancë kanë dhënë kontributet e tyre edhe asambleistët Avdyl Aliu, Bujar Nevzati, Ismajl Kurteshi, Gentrit Murseli, Afërdita Balaj, Ardhmërie Musliu, Mimoza Kadriu, Arianit Sadiku, Besim Guda, Gresa Avdiu, Muhadin Haziri e Ganimet Sabedini.

You Might Also Like