Gazetari, publicisti dhe shkrimtari i njohur, Kurtesh Devaja, ka nxjerrë në dritë veprën e tij më të re me titull “Çanakalaja dhe shqiptarët”, një libër shkencor që ndriçon një nga betejat më të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore dhe rolin e shqiptarëve në të. Promovimi i këtij libri u bë pas një pune të gjatë e të palodhshme hulumtuese, duke sjellë fakte të dokumentuara dhe një pasqyrë të thelluar historike.
Libri, i cili përbëhet nga 436 faqe të ndara në 9 kapituj dhe nënkapituj, është vepra e parë shkencore kushtuar kësaj beteje dhe përfshirjes së shqiptarëve në të. Devaja theksoi se gjatë përgatitjes së këtij libri ka bërë kërkime të gjera në Arkivin Historik të Perandorisë Osmane në Stamboll të Turqisë, duke mbledhur dokumente autentike që ndriçojnë të kaluarën e dhimbshme, por edhe heroike të shqiptarëve në këtë luftë.
Një motiv i fortë personal për këtë libër, sipas autorit, ka qenë historia e trishtë e stërgjyshit të tij, Hasan Devaja, i cili kishte marrë pjesë në Luftën e Çanakalasë dhe nuk ishte kthyer kurrë më në familje. Edhe sot e kësaj dite, varri i tij nuk dihet. Beteja e Çanakalasë, e njohur edhe si Lufta e Gallipolit, u zhvillua pranë qytetit të Edrenës në vitin 1915 dhe zgjati për tetë muaj rresht pa ndërprerje.
Në këtë betejë, forcat e Perandorisë Osmane, të mbështetura nga aleatët e saj – Perandoria Gjermane dhe Austro-Hungareze – u përballën me forcat e Perandorisë Britanike dhe Francës, të cilat pësuan humbje të mëdha.
Sipas të dhënave që sjell autori në libër, në këtë betejë morën pjesë rreth 35 mijë shqiptarë, prej të cilëve 28 mijë ranë në fushën e nderit. Në total, mbi 500 mijë persona u përfshinë në luftë, ndërsa numri i të vrarëve për tetë muaj arrin mbi 280 mijë luftëtarë.
Gjatë promovimit të librit, Kurtesh Devaja theksoi: “Ka qenë një sfidë e madhe të hulumtoje për një betejë kaq të vjetër. Më është dashur të kërkoj në shumë arkiva, por sot ndihem i lumtur dhe i nderuar që ky libër, sado pak, rikthen në memorien e lexuesve sakrificën e trimave shqiptarë që kurrë nuk u kthyen në atdhe.”
“Çanakalaja dhe shqiptarët” është libri i 20-të i autorit Kurtesh Devaja, duke dëshmuar përkushtimin dhe kontributin e tij të vazhdueshëm në ruajtjen dhe dokumentimin e historisë kombëtare. Ky botim është një thirrje për reflektim dhe kujtesë historike, duke vënë në pah rolin e shqiptarëve në ngjarjet më të rëndësishme të shekullit të kaluar.