Gjilan

Hyseni: Po ndërtojmë jo vetëm fusha, por edhe mundësi të reja për të rinjtë e Gjilanit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me kryetarin e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit, Armend Misinin, u pritëm në takim nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

“Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi për zhvillimin e infrastrukturës sportive në komunën tonë, konkretisht ndërtimi i dy fushave të reja të futbollit, në Dobërçan dhe Livoç”, tha Alban Hyseni.

I pari i komunës, tregoi se në Dobërçan do të fillojnë menjëherë me punimet për ndërtimin e fushës së re për klubin KF Studenti, një klub ikonik që më 26 korrik feston 50 vjetorin e themelimit, një përvjetor që po shoqërohet me një investim domethënës për futbollin lokal.

Më tej kryetari Hyseni, tregoi se paralelisht, janë duke u bërë përgatitjet për fillimin e ndërtimit të fushës së re edhe në Livoç, një tjetër hap drejt përfshirjes së gjerë të komunitetit në sport.

Kryetari i Gjilanit, falënderoi Agim Ademin për mikpritjen dhe përkushtimin.

“Po ndërtojmë bashkë jo vetëm fusha, por edhe mundësi të reja për të rinjtë e Gjilanit”, tha kryetari Hyseni.

Nga ana tjetër kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Tha se ishte një takim të frytshëm me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hysenin.

Sipas tij në qendër të diskutimeve ishte projekti për ndërtimin e fushave të reja të futbollit si pjesë e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Komunës së Gjilanit.

“Lajm i shkëlqyer vjen për KF Studentin, pasi që nga dita e mërkurë do të nisin punimet për ndërtimin e fushës së tyre. Fshati Dobërçan do të pajiset me një fushë moderne, e cila do të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e futbollit dhe përfshirjen aktive të komunitetit lokal”, tha Agim Ademi.

I pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, theksoi se po ashtu, u diskutua edhe për projektin e radhës, ndërtimin e një fushe të re futbolli në fshatin Livoç, që pritet të fillojë së shpejti.
Ai në emër të FFK-së, e falënderova kryetarin Hyseni për gatishmërinë dhe përkushtimin e tij në avancimin e infrastrukturës sportive në komunën e Gjilanit, si dhe për mbështetjen konkrete në zhvillimin e sportit dhe të rinjve në këtë rajon.

You Might Also Like