Fshati Dobërqan përjetoi një mbrëmje të jashtëzakonshme me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Klub Futbollistik “Studenti”, klub që prej vitit 1975 ka qenë krenaria sportive e këtij vendbanimi. Me moton **“Brez pas brezi”**, kjo ngjarje festive mblodhi qindra qytetarë, nxënës, punëtorë dhe dashamirë të futbollit në fushën sportive të Shkollës së Mesme të Ulët “Nazmi Ikmeti”.
Me nostalgji e krenari, të pranishmit kujtuan themelimin e këtij klubi nga një grup të rinjsh entuziastë, të cilët me shumë pasion e sakrificë, i qëndruan besnikë sportit dhe i mbijetuan sfidave të shumta gjatë këtyre pesë dekadave. KF Studenti u cilësua si një “ikonë” e fshatit, ku brez pas brezi, të rinjtë kanë dhënë kontribut të çmuar për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e klubit.
Manifestimi u nderua me praninë e drejtorit të Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Muharrem Sahiti, kryetarit të Ligës Rajonale të Futbollit të Gjilanit, z. Armend Misini, si dhe personaliteteve të tjera nga jeta politike e shoqërore e Komunës së Gjilanit.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje festive, u zhvillua një ndeshje reviale ndërmjet veteranëve të KF Studenti, e cila u prit me entuziazëm nga të pranishmit. Gjatë fjalimeve solemne, u evokua historia dhe rrugëtimi i klubit, duke theksuar vlerat që ai ka përfaqësuar ndër vite.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, organizatorët ndanë certifikata nderi për futbollistët veteranë, duke vlerësuar kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në këtë rrugëtim 50-vjeçar.
Në fund të mbrëmjes, për të gjithë të pranishmit u shtrua një koktej rasti nga organizatorët, të cilët me përkushtim kishin realizuar një festë për t’u mbajtur mend.