Futboll

Ballkani drejt rikthimit të namit të dikurshëm, mposht Dritën

Drita është mposhtur edhe një herë në këtë kampionat, i cili nuk po i ecën mirë e mbarë, ngase ekipi kampion i Kosovës ende nuk po mund të gjejë ritmin dhe të vargojë rezultatet pozitive. Pjesa e parë e ndeshjes ishte e niveluar, deri në minutën 40, kur pas një gjuajtje nga këndi nga e djathta, në tollovinë e krijuar Manaj nuk e largoi topin si duhet dhe në të ndërhyri Valid Hamidi që e dërgoi në mes të portës për rezultatin 1 :0 për Ballkanin. Në minutën 43, Drita ka shënuar nëpërmjet Manajt, por pas rishikimit të situatës në VAR goli është anuluar.

Në minutën 58, Vesel Limaj dha një gjuajtje dënimi, por topi pasi ka puthitur tërthorësen ka shkuar në fundore.

Në minutën 86 Ballkani sërish ka realizuar, kësaj radhe me një autogol të Besnik Krasniqit, i cili në vrap e sipër me maje të këpucës e qëlloi topin dhe e dërgoi në këndin e majtë të poshtëm të portës së vet për rezultatin 2:0 për Ballkanin. Krejt në fund të ndeshjes, Ballkani qëlloi edhe shtyllën duke bërë që Drita të mos pësojë një humbje edhe më bindëse. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like