Pas penaltisë, gjuajtjet nga goditjet e lira janë më të rrezikshmet për portierët dhe ruajtjen e portës. Andaj për pengimin e kundërshtarit që të shënojë nga kjo pozitë vendoset i ashtuquajturi “muri i gjallë”, ndërtues i të cilit është pikërisht portieri, i cili në bazë të largësisë, pozitës dhe rrezikshmërisë dikton se sa lojtarë duhet të vendosen në të, a duhet të shtrihet dikush prapa “murit të gjallë” dhe është pikërisht portieri ai që vendos se në cilën anë duhet të lëviz muri.
Portieri zakonisht mundohet që me murin e gjallë të mbulojë njërën anë të portës, derisa pjesën tjetër që është e pambrojtur mundohet që ta mbrojë vet. Mirëpo edhe ekipet në situata të tillë për të gjuajtur në portë i dërgojnë dy lojtarë, njërin me të majtën dhe tjetrin me të djathtën. Zakonisht, nëse gjuajtja e dënimit është më tepër kah ana e djathtë është më e mundshme që në portë të gjuhet me të majtën, apo e kundërta. Sa më afër që të jetë gjuajtja e lirë, aq më tepër lojtarë duhet të jenë në “murin e gjallë”, ku zakonisht duhet të vendosen pesë lojtarë që janë më shtatlartë dhe të cilët zakonisht duhet t’i përkasin fazës së sulmit dhe të cilët nuk guxojnë të shkapërderdhen, apo edhe të kërrusen, por zakonisht duhet të kërcejnë për të penguar gjuajtjet lart.
Dëshmi se si nuk duhet ndërtuar murin ishte pikërisht situata te goli i parë që e pranoi Gjilani në ndeshjen ndaj Dukagjinit.
Megjithëse në mur ishin të vendosur pesë lojtarë, muri nuk ishte i pozicionuar si duhet, ngase ishte tepër në të djathtë edhe pse ekipi kundërshtar qartazi për gjuajtje kishte dërguar dy lojtarë, njërin që gjuan me të majtën e tjetrin me të djathtën. Edhe më keq ishte i vendosur portieri, i cili në këtë rast nuk do të duhej të qëndronte aq tepër në të djathtë. Kështu që pas gjuajtjes në portë nga lojtari i Dukagjinit, muri i gjallë nuk ka patur kurrfarë efekti, derisa portieri aq të pambrojtur e kishte lënë anën e majtë, sa që as që ishte në gjendje t’i afrohet topit.
Gjithsesi se për këtë gol meritat më së tepërmi i ka patur gjuajtësi, i cili ishte tejet i saktë, por vlerësojmë se me një rregullim të murit paksa më ndryshe dhe me vendosje më të mirë të portierit kjo situatë do të mund të evitohej. /kryelajmi.com/.




