Gjilan, 02 dhjetor 2025
Në kuadër të fushatës globale “16 ditë të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila po realizohet nga 25.11.2025 deri më 10.12.2025, njësitë policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan po vazhdojnë me javën e dytë të aktiviteteve sensibilizuese, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe ngritjen e vetëdijesimit publik për parandalimin dhe raportimin e dhunës në familje.
Kjo fushatë po realizohet në koordinim me Drejtorinë për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje, si pjesë e projektit “Zëri që dikur heshti sot dëgjohet”, me institucionet lokale, njësitë komunale për të drejtat e njeriut dhe Qendrën për Punë Sociale.
Në kuadër të kësaj fushate janë duke u shpërndarë fletushka informuese tek qytetarët gjatë aktiviteteve në terren, si dhe videomateriale me mesazhe vetëdijësuese për rëndësinë e raportimit, materiale të cilat janë duke u shfaqur nëpër monitorë digjital në pika të ndryshme të qyteteve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan vazhdon të qëndrojë pranë çdo qytetari dhe i fton të gjithë të raportojnë çdo formë dhune, në mënyrë që së bashku të krijojmë një mjedis më të sigurt për të gjithë.
Falënderojmë të gjithë akteret, institucionet publike, partnerët privatë dhe mediat për mbështetjen e ofruar për sensibilizimin e opinionit për pasojat nga dhuna në familje si dhe për parandalimin e kësaj dukurie të rrezikshme për shoqërinë tonë.


