Te ndryshme

Pas katër dekadave punë të suksesshme, u pensionua Halit Bajraliu

Pas një pune katërdhjetëvjeçare nëpër kompani të ndryshme shoqërore e private është pensionuar punëtori i palodhshëm Halit Bajraliu.

Ai ka qenë i njohur si udhëheqës në disa ndërmarrje të suksesshme e kolegët e tij i kishin venë nofkën “Halit drejtori”, ngase gjithmonë ai ishte një drejtues i afërt me të gjithë punëtorët.

Karrierën e tij, Halit Bajraliu e kishte nisur më 2 shkurt të vitit 1987 në Kompaninë “Morava e Binçës” në Gjilan, duke qenë drejtor i njësisë punuese ndërtimi i ultë nga viti 2000 e deri më 2004. Angazhimin e tij, Halit Bajraliu e kishte vazhduar në ndërmarrjen “Bejta Commerce” ku kishte punuar deri më 2014, për të kaluar më pas në cilësinë e menaxherit në Kofix, ku suksesshëm kreu punët menaxheriale.

Gjithnjë udhëheqës i dalluar, Halit Bajraliu vazhdoi detyrat udhëheqëse, duke qenë menaxher i administratës ekonomike në Kompaninë “Agi Dani SHPK”, ndërmarrje në të cilën edhe u pensionua.

“Jam i lumtur që 39 vite punë nëpër ndërmarrje të ndryshme i kalova gjithmonë i vlerësuar nga kolegët“, thekson Halit Bajraliu, i cili gjatë gjithë karrierës së tij ka qenë i sjellshëm me punëtorë, gjithnjë i gatshëm për t’u dalë në ndihmë, por gjithashtu edhe i disiplinuar në punë dhe i atillë që gjithmonë ka kërkuar disiplinë, duke qenë pjesë e gjeneratës së artë të ekonomistëve që kanë shërbyer në ndërtimin e vendit.

Atëherë kur më së shumti e kërkoi atdheu, në vitet e nëntëdhjeta, Halit Bajraliu u vu në mbrojtje të të drejtave të popullit të vet, duke qenë aktivist politik dhe në rrethanat më të vështira ishte kryetar i Komisionit për Strehim dhe Ushqim dhe aktivitetin nuk e ndali as atëherë kur ishte i kërcënuar nga regjimi policor i atëhershëm.

Ai ishte edhe bashkëthemelues i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në “Moravën e Binçës” si dhe në Komisionin për Eliminimin e Dukurive Negative në nivel komunal bashkë me Halil Bllacën, kurse masat e dhunshme që ishin venë në ndërmarrje e kishin larguar nga puna, fillimisht me masën prej 50 përqind e më pas qe i detyruar që të kalojë në Zvicër më 1992 deri më 1996 si punëtor fizik.

Në Ndërmarrjen ku u pensionua, atij i është organizuar një përcjellje solemne dhe është shpërblyer me mirënjohje për punën e bërë, kurse atij i është dëshiruar jetë e gjatë dhe e lumtur pranë më të dashurve të tij, bashkëshortes dhe dy fëmijëve që të dy të shkolluar. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like