Pozharan, 13 janar 2026
Po bëhen më shumë se dy muaj që në qendrën e fshatit Pozharan, por edhe në disa rrugë të lagjeve, janë fikur “dritat” nga poçat elektrikë publikë të vendosur për ndriçimin e natës. Ato janë fikur jo vetëm në qendër të kësaj qyteze, por edhe në një gjatësi prej rreth 2 kilometrash, nga hyrja deri në daljen e Pozharanit.
Për këtë mungesë, edhe pse janë njoftuar kompetentët e komunës, askush nuk u është përgjigjur ankesave të qytetarëve, të cilët vazhdimisht janë ankuar për këtë problem.
Se ku qëndron problemi i këtij terri ende nuk ka përgjigje, edhe pse dihet se përgjatë qendrës së Pozharanit ekzistojnë edhe dyqane, shitore dhe biznese të shumta, të cilat janë ankuar krahas qytetarëve. Është e nevojshme që Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Vitisë të merret me këtë problem dhe që dritat të kthehen në qendrën e Pozharanit, sepse pozharanasit nuk e meritojnë një “dënim” të tillë të shkaktuar nga mosveprimi i kompetentëve të kësaj komune.
Pozharanasit shprehen të indinjuar me këtë veprim të kompetentëve të komunës, duke kërkuar që sa më shpejt të kthehen dritat, të cilat mungojnë tash e dy muaj e më shumë. A. Zuka
Foto: Qendra e Pozharanit, kështu duket në mbrëmje – në terr!






