Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim zv.drejtorin e përgjithshëm të KEDS-it, Avni Alidemaj, me të cilin ka diskutuar për nevojat dhe prioritetet e Komunës së Vitisë në fushën e furnizimit me energji elektrike dhe përmirësimit të rrjetit elektrik. Gjatë takimit, kryetari Haliti ka paraqitur nevojat e Komunës dhe ka kërkuar mbështetjen e KEDS-it për realizimin e investimeve në zonat ku paraqitet nevoja për përmirësimin e infrastrukturës energjetike. Në veçanti, ai ka theksuar nevojën për shtrirjen e rrjetit elektrik në Zonën Ekonomike në Budrikë, e cila paraqet rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për funksionimin e bizneseve. Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar për disa fshatra të Komunës së Vitisë, të cilat janë identifikuar si prioritete për investime dhe përmirësimin e rrjetit elektrik, me qëllim të krijimit të një furnizimi më të qëndrueshëm dhe cilësor për qytetarët. Zv.drejtori i përgjithshëm i KEDS-it, Avni Alidemaj, ka theksuar përkushtimin e kompanisë për realizimin e investimeve në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe prioritetet e identifikuara. Ai ka falënderuar institucionet komunale të Vitisë për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe korrekt me KEDS-in, duke vlerësuar gatishmërinë e Komunës për t’iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave që lidhen me realizimin e projekteve të kompanisë. Në takim, ku kanë marrë pjesë edhe drejtori regjional dhe udhëheqës të sektorëve të KEDS-it, janë prezantuar investimet e realizuara deri më tani në Komunën e Vitisë, si dhe projektet që pritet të realizohen në periudhën e ardhshme. Me këtë rast është theksuar se Komuna e Vitisë mbetet një nga prioritetet e KEDS-it sa i përket investimeve dhe përmirësimit të rrjetit elektrik. Për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve në Komunën e Vitisë, kryetari Sokol Haliti e ka nderuar zv.drejtorin e përgjithshëm të KEDS-it, Avni Alidemaj, me mirënjohje. Pas takimit, drejtuesit e KEDS-it dhe përfaqësuesit e Komunës së Vitisë kanë marrë pjesë në përurimin e trafos së re elektrike në fshatin Kabash. Ky projekt është vlerësuar i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në këtë pjesë të komunës, pasi pritet të ndikojë në rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e dukshëm të furnizimit jo vetëm për banorët e Kabashit, por edhe për lokalitetet përreth. Komuna e Vitisë dhe KEDS-i kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe identifikimin e projekteve të reja që synojnë përmirësimin e infrastrukturës energjetike dhe shërbimeve për qytetarët.Aziz Zuka





