Muzikë

Yjet / Xixat e Flakës” – një rrugëtim që vazhdon të ndriçojë

Shkruan: Dr. Kushtrim Jakupi

Me përmbylljen e Festivalit të Këngës për Fëmijë “Yjet e Flakës”, sonte ndjej qetësi dhe krenari të thellë. Çdo edicion që mbyllet nuk është fund, por një fillim tjetër, e tjetër me rradhë.
Në kuadër të këtij edicioni të 35-të të “Flakës së Janarit”, kjo skenë u kthye sërish në shtëpinë e zërave të vegjël që këndojnë për atdheun, historinë, familjen, lirinë dhe dashurinë. 12 këngë premierë, të interpretuara nga fëmijë të talentuar nga mbarë vendi, sollën emocione dhe dëshmuan se muzika për fëmijë ka nivel, dinjitet dhe mision edukativ.
21 vite drejtim të organizatës LYRA dhe 16 vite jetë të këtij festivali janë një rrugëtim i përbashkët, i ndërtuar me përkushtim, sakrificë dhe besim të palëkundur në vlerat e artit. “Yjet/ Xixat e Flakës” për mua nuk janë vetëm një skenë, por një proces formues, që nis me përzgjedhjen profesionale të këngëve dhe përfundon me buzëqeshjen e fëmijëve në skenë.
Me vetëdije, këtë vit zgjodha që festivali të ketë karakter revial. T’i shpallim të gjithë fëmijët fitues ishte mesazhi im më i sinqertë: në artin për fëmijë, gëzimi i krijimit, bashkëpunimi dhe motivimi vlejnë më shumë se çdo garë. Në mungesë të garës, desha që vlerësimi të marrë formë tjetër – më njerëzore dhe më edukative. Prandaj i ndamë tre Mirënjohje simbolike, si shenjë respekti për përkushtimin dhe rritjen artistike:
– Kira Demolli, vetëm 6 vjeçe, u nderua si interpretuesja më e re e festivalit – një talente e vogël që sapo ka nisur të çelë në botën e muzikës.
– Aron Musliu u vlerësua për pjesëmarrjen pesë vite me radhë në festival, si dëshmi e vazhdimësisë, disiplinës dhe dashurisë së tij për skenën.
– Alika Ajeti u nderua si interpretuesja më e kompletuar, për bashkimin harmonik të këndimit, paraqitjes skenike, veshjes dhe koreografisë – një performancë e ndërtuar me vetëdije dhe kulturë artistike.
Këto mirënjohje nuk ishin çmime në kuptimin klasik, por sinjale motivuese për fëmijët që muzika nuk është vetëm talent, por edhe punë, përkushtim dhe rritje e vazhdueshme.
Falënderoj nga zemra, institucionet mbështetëse, kompozitorët, dirigjentët, koreografët, prindërit dhe çdo bashkëpunëtor që beson në këtë mision. Falënderoj edhe fëmijët – sepse ata janë arsyeja pse kjo flakë vazhdon të ndizet vit pas viti, e mbi të gjitha, krijuesin e ketij festivali, Babin tim, i cili shpresoj se na ndjek nga lart krenar!
“Yjet e Flakës” vazhdojnë të ndriçojnë… dhe do të mundohem edhe më tutje, edhe për shumë vite të tjera t’i mbaj të ndezura.”

You Might Also Like