Shkruan: Ismajl Kurteshi
Partitë politike duhet rëndësi të veqanet t’i kushtojnë vlerave njerëzore dhe profesionale të kandidatëve për deputet.
Manipulimi me vota në Kosovë nuk ka ndodh vetëm njëherë dhe jo vetëm në një mënyrë. Këtë herë, për dallim nga herët e tjera, institucionet e shtetit, pas dyshimit për manipulim kanë hulumtuar dhe kanë konstatuar se manipuluesit, përmes të të paguarve të tyre e kanë falsifikuar rezultatin e zgjedhjeve duke e rritur kështu artificialisht numrin e votave, në dëm të bashkë partiakëve të tyre. Votat janë blerë edhe me dreka e darka edhe me favore të tjera gjatë fushatës ose me premtime të rrejshme. Nuk janë të rralla rastet kur kriter për dhënien e votës është afërsia e jo aftësia me kandidatin.
Kjo dëshmon se shumë falsifikatorëve u është mundësuar të futen në lista zgjedhore dhe të bëhen deputet.
Sido që të merren votat, përveç asaj që vjen nga votuesi, për shkak të bindjeve për kualitetet, që i ka për kandidatin përkatës për deputet ose këshilltar komunal, është ilegale.
Edhe vota e dhënë për një subjekt politik ose kandidat që e ke votuar më shumë se një herë dhe ke konstatuar se nuk e ka arsyetuar besimin e dhënë, është veprim i gabuar dhe i dëmshëm, një gjë të tillë e bëjnë vetëm ata që nuk e kuptojnë mirë rëndësinë e votës.
Votimi për ata që nuk e meritojnë është i dëmshëm, edhe për faktin se të tillët jo vetëm që shkojnë pa meritë në Kuvend, kontribuojnë pak ose nuk kontribuojnë fare atje, nuk kanë qëndrime për çështje të rëndësishme sepse nuk i kuptojnë ato si duhet, prandaj janë edhe të pa sigurt dhe lehtë të ndikueshëm nga të tjerët, gjatë ushtrimit të misionit përfaqësues.
Në një Kuvend ku ka deputetë me vota të blera, shitja e votave në asnjë rast nuk përjashtohet. Me të tillë interesat e vendit janë në rrezik. Të tillëve nuk duhet t’ju mundësohet përfaqësimi i interesave të atdheut.
Ai që korrupton të tjerë, korruptohet edhe vetë. Kur korruptohen ose korruptojnë përfaqësuesit e popullit, dëmtohet populli, rrezikohet vendi.
Hetimet që kanë filluar, pas zbulimit të manipulimeve me votat e qytetarëve për deputet, dhe masat që do të ndërmerren janë shumë të mirëseardhura, por çfarë do që të jenë masat, ato nuk e zgjidhin problemin e përfaqësimit të denjë të qytetarëve në institucionin më të lartë të vendit, nga i cili burojnë të gjitha institucionet. Institucionet që dalin nga një Kuvend që e ka të luhatur besimin, nuk mund të jenë të besueshme sa duhet.
Prandaj me qëllim të pamundësimit të hyrjes së manipulatorve në Kuvend dhe institucione tjera të rëndësishme të shtetit, duhet të vendosen kritere të rrepta për futjen e kandidatëve në listat zgjedhore dhe gjetiu.
Partitë politike, që kohëve të fundit, vëmendjen e kanë përqendruar në sigurimin e kandidatëve që ju sjellin shumë vota, pavarësisht biografisë dhe aftësive të tyre, duhet rëndësi të veqanet t’i kushtojnë vlerave njerëzore dhe profesionale të kandidatëve.
Nëse qytetarët janë vërtetë të interesuar të përfaqësohen nga ata që janë të besueshëm dhe të aftë t’i përfaqësojnë, duhet t’i votojnë të tillët, e jo ata që përmes manipulimeve, blerjeve e premtimeve bëhen deputetë për interesat e veta e jo të atyre që i përfaqësojnë.
Votuesit, obligimin e tyre qytetar nuk e kryejnë si duhet, nëse nuk i votojnë kandidatët për të cilët janë të bindur se nuk korruptohen dhe kanë vullnet dhe aftësi për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të shtetit tonë.
Shkurt 2026




