Futboll

Përfundon ëndrra e suksesshme evropiane e Dritës

Ka përfunduar paraqitja shumë e mirë e Dritës në Evropë, performancë të cilën askush nuk e kishte besuar. Ky ishte hapi më i madh që FC Drita e ka bërë në garat evropiane dhe tashti i tërë fokusi i klubit bardhe e kaltër do të jetë në Kampionatin e Kosovës.

Drita ndeshjen ndaj Celjes e ka nisur me një lojë shumë të hapur, duke tentuar që në fillim të shkrijë epërsinë e vendasve prej një goli, mirëpo me një lojë të tillë i lanë edhe vendasve shumë hapësirë për të shënuar.

Rasti më i mirë në këtë pjesë të lojës ishte i Dritës, kur Liridon Balaj dhe një gjuajtje shumë të mirë, duke qëlluar këndin e portës, por mu aty topin arriti t’a dëbojë në këndore.

Në minut5ën 19, pas një harkimi nga e majta, në brendi të zonës mbrojtja e Dritës la shumë hapësirë dhe dy lojtarë të Celjes mbetën të vetmuar, andaj Seshlar nuk e pati të vështirë që të shënojë me këmbë nga afërsia.

Në minutën 23, dush i ftohtë për Dritën. Pas një gjuajtje nga këndi, sërish vendosje jo e duyhur e mbrojtjes së Dritës dhe mbrojtësi Hrka nuk e pati të vështirë që të shënojë nga afërsia.

Drita shumë shpejt u kundërpërgjigj, kur në minutën 26 Besnik Krasniqi harkoi nga e djathta e Blerim Krasniqi në brendi u shkëput më së larti dhe me kokë zvogëloi rezultatin në 1:2.

Në minutën 29 nga e majta rrezikoi Tusha, por portiere vendas dëboi topin. Një minutë më pas Raddy Ovoukka duke dashur të harkojë e qëlloi tërthorësen.

Në minutën 42, portiere Faton Maloku me këmbë nuk e gjeti ndonjë lojtar të vetin, por ia dha topin kundërshtarit, në të cilin nga prapa ndërhyri Bejtullai e gjyqtari dha penalti. Nga pika e bardhë gjuajti Seshlar, i cili dërgoi Malokun në të djathtë e topin në të majtën për rezultatin 3:1.

Drita shumë mirë e ka nisur pjesëlojën e dytë, kur pas një harkimi nga këndi të Bes. Krasniqit, mbrojtja e Celjes e dëboi topin deri Balaj, i cili harkoi e Dabiqaj me volej qëlloi topin dhe e futi në rrjetë për 3:2.

Në minutën 61, Josifov i Celjes me një veprim vetjak gjeti pozitë të mirë për të gjuajtur, mirëpo topi, të cilin e qëlloi për mrekulli u përplas për pingulen e djathtë të Malokut.

Në minutën 63, Drita pati rast të mirë për të barazuar, kur Sheji gjeti këndin e majtë të portës së ekipit slloven e portieri prit, kurse Blerim Krasniqi në topin e dëbuar nuk qe i saktë dhe gjuajti jashtë.

Dabiqaj sërish pati rast të barazojë rezultatin në minutën 77, por portieri Laban i Celjes sërish u hodh në këndin e majtë të poshtëm dhe e dërgoi topin në fundore.

As në minutën 90 nuk u barazua rezultati, kur Besnik Krasniqi nga e djathta harkoi e Blerim Krasniqi nga afërsia gjuajti me kokë, por topi shkoi skaj pingules së majtë.

Rezultati i kësaj ndeshje nuk ishte i mjaftueshëm që Drita të shkojë tutje dhe për stinorin 2025/2026 përfundon ëndrra e suksesshme evropiane.

/kryelajmi.com/.

You Might Also Like