Artistët tanë janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Kultura është ura që bashkon popujt, duke ndërtuar lidhje të qëndrueshme përtej kufijve dhe brezave. Sonte, Salla Perandorake e Muzeut Rajonal të Ústí nad Labem u mbush me emocion dhe duartrokitje, ndërsa zëri i fuqishëm i sopranos sonë, Elona Sadiku, i shoqëruar me finesë në piano nga Pranvera Hoxha, krijoi një atmosferë të paharrueshme artistike.
Me krenari Ambasada e Kosovës bashkëorganizoi këtë mbrëmje të jashtëzakonshme në kuadër të Muajit të Gjuhës dhe Kulturës Shqipe, në partneritet të ngushtë me Universitetin Jana Evangelisty Purkyně në Ústí nad Labem, si dëshmi e përkushtimit për thellimin e bashkëpunimit kulturor dhe akademik ndërmjet dy vendeve.

Programi i përzgjedhur me këngë artistike dhe popullore shqiptare nga kompozitorë të njohur shpalosi bukurinë dhe thellësinë emocionale të muzikës vokale shqipe. Përfshirja në repertor e aries “Měsíčku na nebi hlubokém” nga opera Rusalka e Antonín Dvořák i dha mbrëmjes një dimension të veçantë simbolik — një bashkëbisedim i bukur muzikor ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj çeke.
Muaji vazhdon me ligjërata akademike dhe aktivitete të shumta kulturore; ndërsa nesër në mbrëmje do të shfaqim filmin e mirënjohur Hive.
Mirënjohëse për këtë fillim dinjitoz dhe për praninë e publikut që e mbushi sallën me emocion dhe duartrokitje.




