Gjilan, 5 mars 2026 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Krenare Latifi-Kqikut, ka mbajtur të enjten seancë solemne për nder të Epopesë së UÇK-së, në ngjarjen ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, përfaqësues tjerë institucionalë, familjarë të dëshmorëve e përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta.
Kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi-Kqiku, ka thënë se sot kombi shqiptar përkulet me nderim të thellë para sakrificës sublime të komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes Jashari dhe bijve e bijave të Kosovës që u flijuan në altarin e lirisë.
“Se sa i shtrenjtë është çmimi i lirisë më së miri e dëshmoi familja Jashari para 28 vitesh, me sakrificën e tyre vetëflijuese”, tha ajo.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pohoi se Epopeja e UÇK-së është simbol i qëndresës, sakrificës dhe i dashurisë së pakushtëzuar për lirinë.
“Është historia e burrave dhe e grave që vendosën që fatin e tyre dhe të atdheut ta bartim mbi supet dhe mbi jetën e tyre. Në ditët e marsit 1998, në Prekaz u dëgjua zëri i popullit që kishte vendosur të mos jetonte më në robëri”, është shprehur veç tjerash kryetari Hyseni.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se familja Jashari nuk ishte rastësisht në përballjen më të fuqishme që ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore, duke u sakrifikuar me fëmijë, gra, burra e pleq, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari.
Në këtë seance solemne ka adresuar mesazhin edhe ish-ushtarja e UÇK-së, njëherësh asambleiste e Kuvendit të Gjilanit nga radhët e PDK-së, Malikie Hoxha, sikurse edhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin Komunal, përkatësisht Shpend Nuhiu (LVV), Sami Ahmeti (LDK), Bujar Nevzati (PDK) e Nazim Gagica (AAK).




